Katalunasit bëhen me Kosovën

Sport March 29, 2018 - 11:18

Gazeta sportive e Katalunisë i uron mirëseardhje Kosovës në Lojërat Mesdhetare

Gazeta sportive e Katalunisë, “L’Esportiu” e ka vënë ekipin olimpik të Kosovës në ballinën e saj, të numrit të djeshëm.

Me titullin “MIRËSEVENI” në gjuhën spanjolle, gazeta i uron mirëseardhje ekipit të Kosovës, i cili do të marrë pjesë në Lojërat Mesdhetare, që këtë herë mbahen në Tarragona të Spanjës, prej 22 qershor – 1 korrik 2018.

“Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (KON) e ka obliguar qeverinë spanjolle që të mos e pengojë pjesëmarrjen e Kosovës në Lojërat Mesdhetare në Tarragona, edhe pse Madridi zyrtar nuk e njeh Kosovën si shtet”, shkruan në nëntitullin e gazetës.

Shteti i Spanjës nuk e njeh Pavarësinë e Republikës së Kosovës dhe pasaportat e saj, për çka qeveria spanjolle ishte në dyshim nëse do të lejonte një vend të cilin nuk e njeh, të marrë pjesë si shtet në një garë të tillë.

“Kur Komiteti Ndërkombëtar i Lojërave Mesdhetare pranoi Komitetin Olimpik të Kosovës, Kosova u ndesh me pengesa burokratike nga qeveria spanjolle, por një ankesë e drejtorit të përgjithshëm të KON-it, katalunasit, Pere Miro, përfundimisht e detyroi qeverinë e Spanjës të zhbllokojë situatën kundër vullnetit të saj, pasi Kosova, një vend i pavarur, përveç mosnjohjes, nuk është e mirëpritur në Spanjë”, shkruan më tej “L’Esportiu” në artikullin e saj, ku ka vënë edhe një foto të ekipit kombëtar të Kosovës në futboll.

Gazeta përmend edhe konfliktin Kosovë – Serbi, dhe rastin e fundit me Kombëtaren U-20 të hendbollit, konkurrenca e femrave, për shkak të së cilës Serbia u përjashtua nga kualifikimet, pasi qeveria e këtij vendi nuk lejoi përballjen Serbi – Kosovë, të ndodh në territorin e tyre. Po ashtu, ata nuk lejuan Kosovën të zhvillojë ndeshjet tjera në Serbi.

Ekipi i Kosovës për herë të parë do të marrë pjesë në Lojërat Mesdhetare, pas pranimit të KOK-ut në Komitetin Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare (ICMG) në Asamblenë e Jashtëzakonshme, të mbajtur më 30 tetor 2015 në Washington DC. /Zëri/

Image