Jugamerikanët e duan Botërorin pas 16 vjetësh

Sport March 27, 2018 - 13:56

Kombëtaret nga Amerika e Jugut duan t’i japin fund dominimit të përfaqësueseve nga Evropa. Këto të fundit kanë triumfuar në tre botërorët e fundit: Italia (2006), Spanja (2010) e Gjermania (2014), prandaj jugamerikanët e kërkojnë Kupën e Botës pas 16 vjetësh. Brazili dhe Argjentina synojnë ta fitojnë Botërorin në Evropë në “Rusia 2018” për herë të parë për një ekip latin që nga viti i largët 1958

Amerika e Jugut i ka mëshuar tavolinës me grusht para fillimit të “Botërorit 2018”, shkruan sot gazeta Zëri.

Latinët duan t’i sistemojnë gjërat dhe t’i bien ato në vendin e tyre. Kanë mbetur edhe dy muaj deri në fillimin e Kampionatit Botëror dhe ata konsiderojnë se shumë gjëra mund të ndryshojnë.

Në fakt miqësoret e fundit, këto të marsit, dhanë sinjale të forta në këtë drejtim dhe “Rusia 2018” duket se do të flasë për jugamerikanët.

Argjentina luajti ndaj Italisë me plot lehtësi. Ishte një “Seleccion” me plot eksperimente, me Tagliafico, Lanzini e Otamendi, këtë duhet përmendur gjithsesi.

Sidoqoftë, kualiteti mbetet i lartë, saqë trajneri Sampaoli mund t’i lërë jashtë dy lojtarë të klasit botëror si Dybala e Icardi (do të ishin titullarë në cilëndo kombëtare tjetër), duke llogaritur në lojtarët tjerë që po i kryejnë punë.

Duhet pranuar se tek Argjentina gjithçka sillet rreth Messit, të cilin e ndihmojnë të tjerët përreth.

Brazili, nga ana e tij, e mundi Rusinë 3:0. Duhet cekur se Argjentina dhe Brazili luajtën pa lojtarët e tyre më të mirë, Messi e Neymar.

Trajneri i brazilianëve Tite duket se ia ka dhënë “Seleçaos” lojën solide që i mungonte.

Ekipi ka më shumë fantazi në organizimin e lojës dhe po i dominon kundërshtarët një nga një.

Brazili e ka gjetur ekuilibrin dhe mund të llogarisë, përpos talentit të kristaltë të Neymarit, të Coutinhos e të Gabriel Jesusit, në eksperiencën e Thiago Silva, Dani Alves, Miranda, Casemiro, Fernandinho dhe në punën e arritur nga dy lojtarë që deri tash kanë qenë vendimtarë: po flasim për Paulinho dhe Willian, i cili muajt e fundit është futur në elitën e futbollistëve më të mirë në botë.

Është një fuqi e zjarrtë, të cilën nuk e kanë ekipet tjera. Brazili luajti mbrëmë me Gjermaninë në Berlin, në njërin prej testeve të fundit para Botërorit, i cili nis në muajin qershor.

Vazhdojmë me Amerikën e Jugut: Kolumbia e ka mundur Francën me përmbysje (shënuan Muriel, Falcao e Quintero), duke demonstruar personalitet dhe kualitet.

Kurse Peru e mposhti Kroacinë 2:0. Edhe ky ekip e kaloi provimin.

Përfaqësuesja peruane është rikthyer në Botëror pas plot 36 vjetësh: herën e fundit kishte marrë pjesë në këtë eveniment në vitin 1982, në Spanjë.

Dominimi i evropianëve

Nuk duhet harruar se në dekadën e fundit, përfaqësueset evropiane e kanë dominuar Botërorin.

Në fakt, në tre Botërorët e fundit kanë triumfuar skuadrat evropiane: Gjermania (2014), Spanja (2010) e Italia (2006).

Jugamerikanët duan t’i japin fund dominimit evropian

Sa u përket përfaqësueseve jugamerikane, vetëm Argjentina është nxjerrë disi në tre botërorët e fundit.

Vetëm ekipi i Lionel Messit ka arritur të shkojë deri në finale, të cilën e kishte humbur nga Gjermania në finalen e “Maracanas”.

Brazili i Fenomenit Ronaldo dhe Rivaldos ishte ekipi i fundit jugamerikan që ka triumfuar në një botëror. Ishte viti 2002 kur kjo skuadër triumfoi në Korenë e Jugut dhe në Japoni, në finale ku e kishte mundur Gjermaninë me rezultat 2:0.

Këtë herë në Botërorin e Rusisë, Amerika e Jugut e ka mundësinë të rikthehet dhe ta fitojë një botëror në Evropë, plot 60 vjet nga hera e fundit.

Në fakt ishte Brazili i 17-vjeçarit Pele, i Didit, Vavas dhe i të paarritshmit Garrincha që e kishte fituar Kupën e Botës për herë të fundit në Evropë, respektivisht në tokën e Suedisë. /Zëri/