Serbia s’i bie pishman, nuk pendohet për asnjë çmim!

Sport March 26, 2018 - 12:16
Përpos përjashtimit nga kualifikimet për “Botërorin U-20”, Serbia rrezikon të përballet edhe me dënime tjera nga Federata Evropiane e Hendbollit, për shkak se nuk pranoi të luajë me Kosovën, të cilën madje nuk e lejoi të luajë as ndaj Sllovakisë e Norvegjisë në territorin e saj. Për këtë është e vetëdijshme edhe vetë Federata e Hendbollit e Serbisë, e cila thotë se me vendosmëri e respekton vendimin politik të qeverisë serbe kundër Kosovës. Ndërsa, Përfaqësuesja kosovare është kthyer në Prishtinë prej Beogradit pa e zhvilluar asnjërën ndeshje kualifikuese. Vashave kosovare u ka mbetur merak që u është mohuar takimi me Serbinë, për të cilin ishin shumë të motivuara, por ato ishin shqetësuar në Serbi nga numri i madh i policëve serbë që i kishte “blinduar”

Përfaqësuesja U-20 e Kosovës në hendboll në konkurrencën e femrave është kthyer të shtunën në Prishtinë nga Serbia pa e zhvilluar asnjë ndeshje kualifikuese për Botëror, nga tri sa do të duhej t’i zhvillonte, shkruan sot gazeta Zëri.

Kjo për shkak se turneun kualifikues ndërkombëtar e ka çrregulluar qeveria e Serbisë, duke ndërhyrë politikisht, me qëllim që t’ia pamundësojë paraqitjen Kosovës, shtetësinë e së cilës Beogradi zyrtar vazhdon ta kundërshtojë në çdo formë dhe në çdo rrethanë.

Në fakt Serbia, Kosova, Norvegjia dhe Sllovakia do të duheshin të takoheshin mes vete në kërkim të kualifikimit.

Mirëpo, qeveria e Serbisë e kishte urdhëruar ekipin e vet përfaqësues të mos takohet me Kosovën edhe pse vashat kosovare kishin shkuar për të luajtur në afërsi të Beogradit.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i Federatës Evropiane të Hendbollit (EHF), e cila e ka diskualifikuar Serbinë nga kjo garë, duke i lënë në lojë veç Kosovën, Sllovakinë dhe Norvegjinë.

Mirëpo, autoritetet serbe nuk e kanë lejuar Kosovën të luajë në territorin serb as ndaj norvegjezeve dhe sllovakeve.

Kështu, prej gjashtë ndeshjeve të parapara për t’u zhvilluar Kovilovo është zhvilluar vetëm takimi ndërmjet Sllovakisë dhe Norvegjisë.

Ndërsa, mbetet që EHF-ja të caktojë orar të ri për ndeshjet e Kosovës ndaj Sllovakisë e Norvegjisë, të cilat nuk i lejoi Serbia të zhvillohen në territorin e saj.

Madje Federata e Hendbollit e Serbisë (RSS) ka qenë e vendosur për t’i zbatuar urdhrat politikë të qeverisë serbe pavarësisht rrezikut për t’u përballur me dënime tjera të reja nga EHF-ja përpos atij fillestar me diskualifikim nga kampanja kualifikuese.

“Federata e Hendbollit e Serbisë e respekton në tërësi vendimin e organeve shtetërore për anulimin e turneut kualifikues për Kampionatin Botëror të Juniorëve, i cili është dashur të mbahet në Kovilovo gjatë këtij vikendi. Federata Evropiane e Hendbollit ka kërkuar nga Federata serbe që të shtunën deri në orën 11:00 të deklarohet për fatin e turneut. Federata e Hendbollit e Serbisë ka njoftuar shtëpinë evropiane të hendbollit se nuk do të ketë turne, respektivisht ai anulohet, ndërsa të gjitha përfaqësueset pjesëmarrëse tashmë e kanë braktisur qendrën ku do të mbahej turneu”, thuhet në një deklaratë të RSS-së në Beograd.

Shtëpia e hendbollit serb është e vetëdijshme se nuk do t’u shpëtojë dënimeve.

“Duke marrë parasysh se reprezentacioni serb i juniorëve tashmë ishte diskualifikuar nga turneu, Federata Evropiane e Hendbollit do të vendosë se ku dhe në çfarë forme do të mbahet ky turne. Gjykata e Arbitrazhit e Federatës Evropiane të Hendbollit brenda disa ditëve do ta fillojë procesin në lidhje me anulimin e turneut. Vendimi për dënimin eventual do të merret gjatë disa javëve të ardhshme”, ka potencuar RSS-ja.

Image

Kosova kthehet në Prishtinë pa e zhvilluar asnjë lojë

Pasi nuk u lejua t’i zhvillojë ndeshjet kualifikuese në Serbi Federata e Hendbollit e Kosovës (FHK) nga Beogradi i ka shprehur gatishmëri Federatës Evropiane të Hendbollit (EHF) që takimet e Kosovës me Norvegjinë dhe Sllovakinë t’i organizojë në Prishtinë.

Ideja e FHK-së është vlerësuar, por nuk është aprovuar nga EHF-ja, Norvegjia dhe Sllovakia.

“FHK-ja mori të gjitha masat që këto ndeshje të luhen në Prishtinë, por propozimi i saj nuk u pranua, ndonëse u vlerësua lart”, ka njoftuar FHK-ja.

Ndërkohë, ekipi kosovar të shtunën nën masa të rrepta të sigurisë është përcjellë nga regjioni i Beogradit drejt pikës kufitare në mes të Serbisë dhe Kosovës në Merdarë.

Vashat kosovare kanë qenë të “blinduara” nga policia serbe gjatë qëndrimit në Serbi, ku nuk kanë munguar as protestat kundër paraqitjes së Përfaqësueses së Kosovës në Serbi nga tifozë serbë, të cilët nuk i kanë kursyer as thirrjet fyese ndaj shqiptarëve dhe Kosovës.

Thuhet se gjatë qëndrimit të ekspeditës kosovare në Serbi kishin qenë të angazhuar rreth 1800 trupa policore për ta ruajtur ekipin kosovar dhe për t’i parandaluar trazirat e mundshme.

Me t’u kthyer në Prishtinë drejtuesit e FHK-së e kanë mbajtur një konferencë për medie, në të cilën kanë thënë se prezenca e jashtëzakonshme policore në Beograd pranë qendrës ku ishin të vendosura ekipet pjesëmarrëse vetëm çka ka shkaktuar panik në mesin e vashave të reja kosovare.

Kështu është rrëfyer edhe kapitenia e ekipit Pranvera Ferati.

“Kemi pasur dëshirë ta zhvillojmë ndeshjen me Serbinë. Ishim shumë të motivuara. Atmosfera në ekipin tonë ishte shumë e mirë, por prezenca e madhe e policisë në ndërkohë ka krijuar panik. Jemi trembur nga ai numër i madh i policëve që na kishte rrethuar”, ka deklaruar ajo.

Ndërsa përzgjedhësi Faruk Shala ka theksuar se ekipi i tij ishte i përgatitur në çdo aspekt për t’i zhvilluar të tria ndeshjet në Serbi, por që për shkaqe politike u është mohuar paraqitja sportive nga autoritetet serbe.

Serbia refuzon Kosovën edhe në xhudo, por e takon në karate

Përpos rastit në hendboll, Serbia ka refuzuar të takohet me Kosovën edhe në xhudon ndërkombëtare.

Në Bosnjë të Hercegovinës është mbajtur Evropiani për Juniorë, ku reprezentuesja serbe Obradoviç ka refuzuar të takohet me përfaqësuesen e Kosovës Laura Fazliu, e cila me këtë rast ka fituar pa luftë.

Në dallim prej hendbollit dhe xhudos, në karatenë ndërkombëtare në fundjavë Kosova e ka pasur një takim me Serbinë.

Në Kampionatin Ballkanik në Turqi karateistja kosovare Fortesa Qrana e ka fituar medaljen e artë për seniore pasi në finale e ka mposhtur reprezentuesen serbe Andriana VIkovac. /Zëri/