Prej sot, për fitore

Sport March 24, 2018 - 14:58

Përfaqësuesja e Kosovës sonte në Francë do të takohet me Madagaskarin në një ndeshje miqësore, në të cilën do të debutojë edhe përzgjedhësi i ri Bernard Challandes bashkë me disa lojtarë të posardhur. Tri ditë më vonë Burkina Faso do të jetë sfida e dytë e “Dardanëve”. Trajneri zviceran nuk e fsheh dëshirën për të debutuar me fitore, sidomos për faktin se i është bashkuar Kosovës me qëllim që t’ia instalojë një mentalitet fituesi, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Nëntë humbjet e pësuara në kualifikimet e botërorit “Rusia 2018” karshi vetëm një barazimi tashmë Përfaqësuesja e Kosovës në futboll ia ka lënë të kaluarës. Skuadra më e madhe e vendit tonë tashmë ka angazhuar përzgjedhës të ri, me të cilin që nga sot do të mundohet të përparojë para sfidave të ardhshme të rëndësishme kualifikuese për “Euro 2020”. “Dardanët” do të luajnë sonte ndaj Madagaskarit në një takim miqësor që zhvillohet prej orës 20:00 në Francë. Me këtë ndeshje debuton edhe Bernard Challandes në postin e përzgjedhësit. Sikurse trajneri zviceran, për Kosovën pritet të debutojnë edhe Edon Zhegrova, Idriz Voca dhe Gjelbrim Taipi – tri ardhje më të reja.

Challandes me futbollistët e tij të ftuar të premten e kanë zhvilluar seancën e fundit stërvitore për ndeshjen kundër Madagaskarit. Kjo ishte stërvitja e pestë e “Dardanëve” në Francë, ku gjatë së enjtes dhe së mërkurës i kanë zhvilluar edhe katër stërvitje të tjera, të cilat u kanë shërbyer për njoftim, por edhe për fillimin e një procesi të ri. Një ditë pas ndeshjes Kosova do ta zhvillojë një seancë rigjeneruese, kurse të hënën do të ushtrojë për miqësoren e dytë, të cilën do ta zhvillojë të martën kundër Burkina Fasos po në Francë.

Këto dy miqësore ishin aranzhuar qysh më moti nga Federata e Futbollit e Kosovës, madje para se ta emërojë përzgjedhësin e ri në vend të Albert Bunjakit. Kështu që selektori i ri zviceran e kishte të pamundur që brenda pak ditësh të përgatitet maksimalisht për këto dy miqësore. Sidoqoftë, Challandes i vlerëson lart përballjet me Madagaskarin dhe me Burkina Fason. “Problemi ishte se ishte një periudhë mjaft e shkurtër për listën. Nuk mund t’i vizitoja fizikisht shumë lojtarë në këtë kohë për t’i takuar, por do t’i shfrytëzoj këto lojë në Francë për t’i parë”, ka deklaruar Challandes për “Zërin”.

Natyrisht, Kosovës do t’i mungojnë disa emra të njohur si ai i Valon Berishës. Por, Challandes thotë se ky është një shans i mirë për të gjithë ata lojtarë që i ka ftuar që ta tregojnë veten. Kjo për shkak se Challandes ka paralajmëruar se në këto dy miqësore do të kenë shans të paraqiten të gjithë lojtarët që i ka ftuar. “Rezultatet nuk janë gjëja më e rëndësishme për momentin. Unë do t’i shikoj dy ekipe, do t’i provoj të gjithë lojtarët në situata të ndryshme”, ka theksuar ai.

Për më tepër, Challandes këto dy miqësore thotë se do t’i shërbejnë si dy stërvitje të rëndësishme në fillim të punës së tij në ekipin kosovar. Por, nuk e fsheh dëshirën për ta nisur me fitore aventurën e tij të re “verdh e kaltër”. “Këto dy ndeshje për mua do të jenë si dy seanca stërvitore. Unë dua ta fitoj natyrisht, por kjo nuk është gjëja e parë dhe kryesore për të cilën po mendoj”, vazhdoi ai.

Tekniku zviceran insiston se ky tubim i “Dardanëve” në Francë për dy miqësoret e radhës do t’i shërbejë shumë së ardhmes. “Kjo do të jetë një pasqyrë e mirë, që më mundëson që në grumbullimet e ardhshme të vendos për lojtarët që më nevojiten, që i përshtaten filozofisë sime”, ka potencuar Challandes.

Ai insiston se ka ardhur për të punuar shumë seriozisht në Kosovë, së cilës dëshiron t’i krijojë ekip me mentalitet fituesi.

Kosovën e presin 500 mijë euro në Ligën e Kombeve

Kosova do t’ia shohë hairin pjesëmarrjes në Ligën e Kombeve. Në fakt, UEFA ka vendosur t’i shpërblejë 55 ekipet pjesëmarrëse në këtë format të ri. Me këtë rast, nga solidariteti dhe shpërblimet e UEFA-s, Federatës së Futbollit të Kosovës do t’i takojnë 500 mijë euro për Përfaqësuesen e Kosovës, si pjesë e Ligës D. Nëse e fiton këtë Ligë, Kosovës do t’i takojnë edhe 500 mijë euro të tjera dhe në total do t’i fitonte 1 milion euro.