Të vegjlit me zemra të mëdha

Sport March 24, 2018 - 13:31

Rafet Prekazi me futbollistët e tij të Përfaqësueses U-21 të Kosovës janë duke ia dhënë kënaqësinë më të madhe Kosovës përmes futbollit. Edhe pse po merr pjesë për herë të parë në një garë të rëndësishme ndërkombëtare, ekipi i shpresave të Kosovës po shkëlqen dhe nuk po lë vend të hetohet mungesa e përvojës ndërkombëtare. Kjo u vërtetua edhe një herë të enjten mbrëma, kur në stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë Kosova U-21 e shënoi fitoren e tretë në kualifikimet për “Euro 2019”.

“Dardanët” e rinj arritën ta mposhtin Azerbajxhanin me rezultat 2:0, duke iu kthyer luftës për kualifikim nga Grupi 5, të cilit i prin Gjermania me 15 pikë, por që po ndiqet nga Irlanda dhe Kosova, që kanë nga 10 pikë. Me 8 pikë prapa tyre radhitet Norvegjia, kurse Izraeli i ka 7 sosh, ndërsa Azerbajxhani është i fundit me 1 pikë.

Selektori Rafet Prekazi thotë se kualifikimi në “Euro 2019” do të ishte mrekulli. Por ky nuk është një objektiv. Sipas Prekazit, më e rëndësishmja është paraqitja dinjitoze që po e shfaq Kosova në këto kualifikime, duke i bërë krenarë qytetarët e saj e po ashtu duke i dhënë shpresa të mëdha të ardhmes së futbollit tonë. “Natyrisht, nuk kam si të mos jem i kënaqur si përzgjedhës kur ekipi im po arrin ta kënaqë popullin e Kosovës”, thotë Prekazi për “Zërin”. “Nuk duhet harruar se akoma jemi shumë larg. Kjo është hera e parë që po marrim pjesë në një garë të tillë. Por është për të kënaqur fakti se ekipi ynë po di të luajë, po di të fitojë dhe po di të japë shpresa të mëdha për një të ardhme të mirë të Kosovës në futbollin ndërkombëtar”, ka theksuar ai.

Kosova U-21 të martën në Mitrovicë do ta zhvillojë ndeshjen e radhës. Më të vështirën mbase. Do ta pres lideren e grupit Gjermaninë, e cila është kampione evropiane në fuqi. Gjithsesi, përveçqë konsiderohet favorite absolute për ta fituar grupin, Gjermania konsiderohet një kandidate edhe për ta fituar sërish titullin në “Euro 2019”. Gjermanët do të zbresin te “Adem Jashari” me disa emra të njohur, disa prej të cilëve luajnë edhe në Bundesligë. Por, Prekazi me djelmoshat e tyre nuk ndiejnë frikë.

“Nuk ke çfarë të flasësh për Gjermaninë. Ajo është superfuqi. Gjermanët janë liderë dhe favoritë absolutë të grupit. Kështu që ne nuk kemi çka të humbim. Do të luajmë pa ngarkesë dhe të shohim çfarë epilogu do të sjellë ndeshja. Natyrisht se kur nuk kemi çka të humbim nuk mbetet tjetër veçse të provohet befasia, fitorja”, tha Prekazi, i cili i kishte shkaktuar probleme të mëdha Gjermanisë në ndeshjen e parë, edhe atë si mysafir me Kosovën e tij. Gjermanët mezi kishin fituar (1:0). Por, të martën fatkeqësisht Prekazit do t’i mungojnë disa lojtarë të rëndësishëm.