Serbia refuzoi Kosovën, EHF e diskualifikon!

Sport March 24, 2018 - 10:11

Serbia në asnjë formë dhe në asnjë rrethanë nuk po mund të pajtohet me realitetin e Kosovës. Qeveria e Serbisë ka shkuar aq larg sa të premten ndërhyri në një garë kualifikuese për Botërorin U-20 të hendbollit vetëm e vetëm që ta pamundësojë takimin e parë ndërmjet dy shteteve në sport. Nën masa të rrepta të sigurisë ekipi kosovar doli në sallë. Por, me urdhër të Qeverisë së saj skuadra serbe nuk i doli përballë. Këtë veprim pala serbe e arsyetoi duke u thirrur në përpjekjet për ta parandaluar ndonjë trazirë të mundshme, gjë që ishte paralajmëruar nga huliganët serbë. Kosova shpalli fitore me rezultat zyrtar. Kurse, Federata Evropiane e diskualifikoi Serbinë nga ky turne, duke i lënë në garë Kosovën, Sllovakinë dhe Norvegjinë, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Serbia në asnjë formë dhe në asnjë rrethanë nuk po mund të pajtohet me realitetin e Kosovës. Madje serbët nuk janë të gatshëm ta takojnë Kosovën as në një ndeshje sportive, madje as në një takim pa simbole shtetërore. Për më tepër, Beogradi zyrtar vazhdon ta përdorë çdo metodë në përpjekjet e veta për ta kundërshtuar dhe për ta mohuar ekzistencën e një shteti fqinj, i cili në fakt e ka shpallur pavarësinë e vet qe dhjetë vjet dhe që është njohur nga shtetet më të fuqishme të botës dhe nga organizata të mëdha ndërkombëtare, duke përfshirë edhe ato sportive, siç është Federata Evropiane e Hendbollit (EHF).

Kjo e fundit e kishte zgjedhur Serbinë si një vend organizator të një turneu kualifikues për Botërorin U-20 në konkurrencën e femrave, në të cilin përpos ekipit përfaqësues serb do të garonin edhe Kosova, Sllovakia dhe Norvegjia. Fillimisht ishte zgjedhur Kragujevaci si vendtakim i këtyre shteteve. Por, meqenëse grupe serbësh kishin paralajmëruar protesta në kundërshtim të Kosovës, Federata e Hendbollit e Serbisë (FHS) organizimin e turneut e kishte zhvendosur në një qendër të mbyllur sportive, afër Beogradit.

Duke i parë rrethanat, EHF-ja kishte vendosur që takimet ndërmjet këtyre katër skuadrave të zhvilloheshin pa simbole shtetërore, pa shikues dhe pa praninë e medieve. Krejt kjo ishte bërë për t’iu shmangur tensioneve dhe incidenteve të mundshme.

Pala serbe kishte ndërmarrur masa të rrepta sigurie edhe për përfaqësuesen kosovare, të cilën e kishte “blinduar” me të hyrë në Serbi nga pika kufitare me Kosovën. Numër i madh i policëve ishte angazhuar për t’i krijuar siguri ekipit kosovar edhe të premten, në ditën e paraparë për t’u zhvilluar takimi në mes Serbisë dhe Kosovës. Por, ndeshja nuk u zhvillua. Vendimin e mori Qeveria e Serbisë duke u thirrur në përpjekjet për ta parandaluar ndonjë incident. Dhe, këtë vendim zyrtarët e lartë qeveritarë në Beograd u munduan ta arsyetojnë duke thënë se një grup i madh huliganësh kishin paralajmëruar se do ta rrethojnë palestrën për ta pamundësuar takimin Serbi – Kosovë, përkatësisht për ta kundërshtuar përfaqësimin e Kosovës si shtet. Vlen të përmendet se një ditë para ndeshjes, përkatësisht në mbrëmjen e së enjtes, një grup huliganësh kishin dalë rrugëve në kundërshtim të Kosovës, duke i fyer shqiptarët në baza racore dhe duke kënduar këngë kundër shtetësisë së Kosovës, të cilën vazhdojnë ta ëndërrojnë si pjesë të Serbisë.

EHF-ja e diskualifikoi Serbinë, priten edhe dënime tjera!

I menjëhershëm ka qenë reagimi i ashpër i Federatës Evropiane të Hendbollit (EHF) ndaj vendimeve dhe veprimeve josportive të Serbisë. Shtëpia e hendbollit evropian përmes një shkrese i ka njoftuar shtetet e grupit se Serbia është diskualifikuar nga kualifikimet, ndërsa Kosovës, Sllovakisë dhe Norvegjisë u mbetet t’i zhvillojnë ndeshjet në mes tyre, në Serbi, sipas orarit të paraparë. “Ekipi i Kosovës, referët dhe delegati janë paraqitur me kohë në parket, ndërsa këtë nuk e ka bërë edhe ekipi i Serbisë. Federata Serbe nuk ka dhënë arsye për këtë. Prandaj, Serbia U-20 përjashtohet nga garat dhe Grupin 5 do ta vazhdojnë Kosova, Norvegjia e Sllovakia”, thekson EHF-ja.

Por, pasojat për Serbinë pritet të jenë akoma më të mëdha. Diskualifikimi është veç fillimi. Kjo për shkak se Federata e Hendbollit të Serbisë nuk i ka kryer përgjegjësitë si nikoqire e turneut kualifikues, e mbi të gjitha ka zbatuar urdhra politike që i ka marr nga Qeveria Shtetërore.

FHK: Fituam!

Përfaqësuesja e Kosovës ishte e gatshme të premten t’i masë forcat me Serbinë në qendrën sportive “Kovilovo” në afërsi të Beogradit. Madje, vashat kosovare me kohë kishin dalë edhe në parket, ndonëse paraprakisht veç e kishin marrë lajmin për vendimin e Qeverisë serbe. Mirëpo, ekipi serb nuk është paraqitur fare. Kjo ka bërë që Federata e Hendbollit e Kosovës (FHK) të njoftojë para EHF-së se ndeshja do të regjistrohet me rezultat zyrtar. “Përfaqësuesja U-20 e Kosovës në hendboll për femra e ka fituar me rezultat zyrtar ndeshjen ndaj Serbisë. Ishte Qeveria e Serbisë që mori vendimin ta ndalojë zhvillimin e ndeshjes duke iu referuar çështjeve të sigurisë. Në kohën kur përfaqësuesja jonë po bëhej gati për ndeshje u bë i ditur vendimi që ndeshja nuk zhvillohet”, thuhet në një deklaratë të FHK-së.

Kosova mbetet në Serbi për të luajtur me Norvegjinë dhe Sllovakinë

Pavarësisht situatës së krijuar, Federata e Hendbollit e Kosovës ka njoftuar se Përfaqësuesja e Kosovës do të vazhdojë të qëndrojë në Serbi në pritje për t’i zhvilluar dy ndeshjet e tjera të parapara: ndaj Norvegjisë të shtunën dhe kundër Sllovakisë të dielën. “Kosova të shtunën e të dielën duhet t'i luajë dy ndeshjet tjera në grup në kuadër të kualifikimeve për Botëror. Norvegjia e Sllovakia janë rivalet e Kosovës”, thotë FHK-ja.

Vajzat kosovare, të qeta dhe të sigurta

Mediet e Beogradit kanë raportuar të premten se afro 2000 mijë policë serbë janë angazhuar për turneun kualifikues për Botërorin e hendbollit. Arsyeja: Kosova! Ndërsa FHK-ja ka bërë të ditur se vashat kosovare nuk janë fare të shqetësuara në Serbi, sidomos pas zhvillimeve të fundit. “Atmosfera në përfaqësuese është shumë e mirë, vajzat janë të qeta, komode dhe në disponim. Sigurimi në këtë qendër është në nivel të lartë dhe nuk ka ndonjë shqetësim për sigurinë e vajzave”, thekson FHK-ja.

Gashi: Serbia, fajtore për anulimin e lojës

Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Nebojsa Stefanovic, është ai i cili ka vendosur që ndeshja Serbi – Kosovë të mos zhvillohet, siç ka thënë ai, për shkaqe të sigurisë. Por, ministrit serb i është kundërpërgjigjur në Prishtinë ministri i Sportit në Qeverinë e Kosovës, Kujtim Gashi. Ky i fundit ka thënë se autoritetet serbe është dashur të ndërmarrin masa adekuate për krijimin e kushteve për zhvillimin e lojës Serbi – Kosovë. “Është obligim i nikoqirit të krijojë kushte që ndeshja të zhvillohet dhe mendoj se kemi të bëjmë me një dështim të autoriteteve të sigurisë të Serbisë meqë ka ardhur deri te anulimi i kësaj ndeshjeje të rëndësishme”, ka thënë Gashi./ZËRI