Nuk luajti me Kosovën, Serbia përjashtohet nga garat!

Sport March 23, 2018 - 18:46

Federata Evropiane e Hendbollit e ka “goditur” Serbinë me vendimin e fundit, shkruan zeri.info.

Në fakt, shtëpia e hendbollit evropian e ka përjashtuar nga kualifikimet e Botërorit U-20 Përfaqësuesen U-20 të Serbisë, e cila nuk u paraqit në parket për ta zhvilluar ndeshjen ndaj Kosovës, që ishte paraparë të fillonte në orën 16:00 sot.

EHF-i e ka pranuar një njoftim nga Federata Serbe e Hendbollit se Përfaqësuesja e këtij vendit nuk do të luajë me Kosovën, pa dhënë ndonjë arsye.

Për këtë, institucioni më i lartë evropian i hendbollit ka vendosur që ta përjashtojë Serbinë nga ky turne, pasi Kosova, referët dhe delegati i lojës ishin paraqitur në parket dhe kishin pritur sipas rregulloreve.

Tash, grupi do të përbëhet nga tri ekipe, Kosova, Norvegjia dhe Sllovakia, të cilat do të përballen në mes vete të shtunën dhe të dielën. /Zëri/