Historia e FC Prishtinës dhe lufta në Kosovë

Sport March 23, 2018 - 17:54
Futbolli kosovar e ka hequr të zinjtë e ullirit për të arritur deri në ditët e sotme. Disa gjenerata janë “djegur” dhe kanë sakrifikuar për të ardhur deri te çlirimi. Yjet e futbollit të paraluftës e kanë kujtuar periudhën e tmerrshme dhe të dhimbshme nëpër të cilën kanë kaluar, duke i sfiduar kërcënimet, frikën, mungesën e stadiumeve dhe zhvillimin e ndeshjeve nëpër ara

Futbolli kosovar ka hequr shumë për të ardhur në ditët e sotme, shkruan sot gazeta Zëri.

Disa gjenerata janë “djegur” dhe kanë sakrifikuar për të arritur në epokën e çlirimit, në epokën e pranimit të futbollit të këtushëm në UEFA e në FIFA.

Kushtrim Munishi ishte njëri prej yjeve më të mëdhenj dhe njëri prej lojtarëve më të njohur në vitet e ’90-ta.

Nuk ka dyshim se ai është personi adekuat për të folur për kohën kur luhej në ara nga frika e Policisë serbe dhe nga torturat që i përjetonin sportistët në atë kohë.

“Presioni i futbollistëve shqiptarë që luanin në ligën jugosllave ishte i shtuar. Ishte e vështirë saqë nuk mund ta shpjegoj. Do të ishte e vështirë për dikë që nuk e ka përjetuar ta imagjinojë se çka përjetonin në atë kohë futbollistët shqiptarë”, thotë Munishi për “thesetpieces.com”, e cila ia ka kushtuar një shkrim të veçantë historisë së FC Prishtinës dhe luftës në Kosovë.

Duke dashur t’i shmangeshin presionit drejtuesit e futbollit kosovar të asaj kohe, të prirë nga FC Prishtina, vendosën të ndaheshin nga liga jugosllave e atëhershme dhe e formuan ligën e pavarur të futbollit të Kosovës.

Ishte një periudhë e tmerrshme pasi serbët nuk e pritën aspak mirë këtë veprim dhe presioni mbi shqiptarët u shtua.

“Presioni në ekip kur i vizitonim stadiumet serbe ishte i madh. Ata na ofendonin në baza racore. Tifozët vendës dhe situata politike në të cilën ishim e bënte situatën më të vështirë. Ajo që erdhi më pas ishte edhe më e vështirë. Të luash pa stadiume, në fusha të improvizuara... Por, ne vazhduam pasi na mbante shpresa se do të vinte dita kur Kosova do të ishte e lirë përsëri dhe që do të mundë të luanim si futbollistë normalë”, kujton ish-futbollisti i FC Prishtinës.

Ai e pranon se nuk e prisnin që do të shkonte aq gjatë, pasi luajtën 8-9 vjet në ara.

Sidoqoftë, Kushtrimi ishte larguar nga Kosova për ta vazhduar karrierën jashtë vendit, duke luajtur në Bullgari, Austri e në Poloni.

“Kam studiuar në Universitetin e Prishtinës në shkencat sportive, kështu që do të kem më shumë opsione në të ardhmen”, përfundoi Munishi, që e kishte drejtuar për një kohë të shkurtër FC Prishtinën e tash është i gatshëm për eksperiencat e reja.

Rugova: Ishin kohëra të vështira

Njëri prej yjeve të asaj kohe ishte ish-sulmuesi Edmond Rugova, një kohë edhe selektor i Kosovës.

Megjithatë, ai e kishte lënë vendin për një jetë më të mirë dhe ishte vendosur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke luajtur në New York Cosmos në vitin 1985.

Kur ishte rikthyer në vitin 1992 ai kishte parë se marrëdhëniet në mes shqiptarëve dhe serbëve e kishin prekur fundin.

“Ishte koha kur njerëzit ‘kapeshin’ dhe nxirreshin jashtë nga shtëpitë e tyre. Njerëzit zhdukeshin brenda natës ndonjëherë. Mund të dëgjoje histori të ndryshme dhe të tmerrshme. Ata (serbët) mundoheshin ta pengonin zhvillimin e futbollit në Kosovë”, tregon Rugova.

Në atë kohë Jugosllavinë e kishte kapluar lufta dhe serbët po luftonin me kroatët dhe me boshnjakët.

Një ditë të ngrohtë pranvere, në fshatin Llukar në afërsi të kryeqytetit, Prishtina po luante me një kundërshtar, ndërsa ndeshja ishte ndërprerë vetëm për teket e një polici serb, i cili ishte shfaqur në fushë me armë.

Rugova tregon se e viziton atë stadium kur e viziton Kosovën pasi ka nostalgji të madhe.

Rugova ishte dhe është mik me Jusuf Tortoshin, edhe ai dikur futbollist e sot trajner.

Të dy e kishin përjetuar atë periudhë të tmerrshme dhe të frikshme, të cilën e kujtojnë kohë pas kohe. Ata ndihen si në familjen e tyre kur e vizitojnë FC Prishtinën.

Në shkrimin e “thesetpieces.com” përmendet edhe lufta e UÇK-së, e cila ndihmoi në çlirimin e Kosovës nga okupatori serb, sigurisht edhe me ndihmën e NATO-s, e cila intervenoi ushtarakisht.

Gjithashtu, përmendet edhe vepra e presidentit legjendar Ibrahim Rugova. /Zëri/