Serbia përballë realitetit, s’e njeh Kosovën por ruan atë!

Sport March 23, 2018 - 13:36
Siç dihet, Serbia e kundërshton në çdo formë ekzistencën e shtetit të Kosovës. Mirëpo të enjten autoritetet serbe u përballën me realitetin. Ato e pritën ekipin përfaqësues të Kosovës në hendboll, të cilit i krijuan siguri nga Merdara deri në Beograd. Ekipi kosovar tashmë ndihet i qetë midis Serbisë dhe vëmendjen e ka përqendruar në ndeshjet kualifikuese për Botëror, që do t’i zhvillojë ndaj Serbisë vendëse, Norvegjisë dhe Sllovakisë. Kosova dhe Serbia takohen sot nën masa të rrepta të sigurisë, pa prani të shikuesve dhe pa simbole shtetërore për t’iu shmangur telasheve

Për herë të parë në histori një ekip nga Kosova do të luajë në Serbi, shkruan sot gazeta Zëri.

Shteti serb e kundërshton fuqishëm Pavarësinë e Kosovës dhe nuk e njeh ekzistencën e vendit tonë, prandaj ka punuar vazhdimisht në pengimin e sportit kosovar.

Mirëpo, serbët të enjten janë përballur me realitetin e ri.

Ata e kanë pranuar në territorin e tyre ekipin përfaqësues të Kosovës U-20 në konkurrencën e femrave, i cili do të marrë pjesë në kualifikimet e Kampionatit Botëror U-20, ku krahas Kosovës dhe Serbisë, në të njëjtin grup bëjnë pjesë edhe Norvegjia e Sllovakia.

Autoritetet serbe e kanë pritur kontingjentin kosovar me siguri të mjaftueshme që nga Merdara e deri në Beograd.

Madje “Zëri” mëson se dy policë serbë janë vendosur në autobusin e ekipit kosovar, i cili është përcjellë nga dy vetura të policisë, njëra përpara dhe tjetra prapa, për ta shmangur çdo incident eventual.

Ndërkohë, edhe pse fillimisht ishte vendosur që kjo fazë kualifikuese të zhvillohej në Kragujevc, Federata Serbe e Hendbollit e ka ndërruar lokacionin, duke i zhvendosur ndeshjet në Kovilovo afër Beogradit, një vend i izoluar, për t’i shmangur problemet e mundshme, pasi serbët kishin paralajmëruar protesta në Kragujevc për shkak të pjesëmarrjes së Kosovës në këtë garë.

Pasi Serbia nuk e njeh Kosovën, Federata Evropiane e Hendbollit ka vendosur që të katër ekipet përfaqësuese pjesëmarrëse të paraqiten në këtë turne pa simbole shtetërore, ndërsa në ndeshjen ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, që luhet sot nga ora 16:00, nuk do të ketë as shikues.

Rruga shkoi mirë

Kontingjenti kosovar është ndarë i kënaqur me ecurinë e rrugës nga Prishtina në Beograd, në afërsi të të cilit janë vendosur vashat kosovare.

Përzgjedhësi Faruk Shala thotë se nuk ka pasur asnjë problem dhe se gjithçka ka shkuar si duhet.

“Rrugëtimi ynë ka shkuar shumë mirë. Jemi të kënaqur me itinerarin e udhëtimit, gjithçka ka shkuar mirë. Normalisht, udhëtimi ynë ka qenë nën masa të rrepta të sigurisë. Nuk ka frikë në mesin e Përfaqësueses, gjithçka është normale. Vajzat janë të reja dhe me plot motiv e ambicie, pra ato po mendojnë vetëm për lojën”, u shpreh Shala për “Zërin”.

Image

Ndeshja me Serbinë, e veçantë

Duke e pasur parasysh të kaluarën jo fort miqësore ndërmjet dy popujve, trajneri kosovar e pranon se ndeshja me serbët do të jetë e veçantë, jo si të tjerat. Megjithatë, premton se vashat do ta japin maksimumin për të dalë mirë nga përballja e sotme.

“Normalisht, të gjithë e dimë që ndeshja me Serbinë është e veçantë. Tani ne jemi mysafirë të tyre dhe normalisht e synojmë më të mirën. Uroj të mos e humbim përqendrimin dhe të zhvillojmë lojë të mençur”, vazhdoi Shala.

Kosova lë anash politikën, koncentrohet në lojë

Kosova U-20 do ta lërë anash politikën dhe do të koncentrohet totalisht në parket. Shalën e brengos fakti se disa lojtare janë të lodhura pasi kanë luajtur të mërkurën me Përfaqësuesen A ndaj Bjellorusisë. Sidoqoftë, ai po mundohet t’ua transmetojë vashave filozofinë e tij që të kenë paraqitje sa më të mirë në Serbi.

“Synimi ynë është të luajmë lirshëm, pa ngarkesë dhe ta tregojmë më të mirën e mundshme. Disa lojtare janë pak të lodhura, por kemi kohë edhe pak dhe po shpresojmë të jemi në gjendjen më të mirë sportive. Ne do të marrim pjesë në kualifikimet e Botërorit U-20 dhe kemi kundërshtarë të fortë, sidomos Norvegjia, e cila në hendboll është në nivelin më të lartë botëror”, thekson ai.

“Sidoqoftë, ne jemi të fokusuar në ndeshjen e parë kundër Serbisë, ku synojmë ta japim maksimumin dhe ta prezantojmë Kosovën në mënyrën më të mirë në këto kualifikime”, përfundoi Shala. /Zëri/

Kualifikimet e Botërorit U-20

Grupi 5

E premte

16:00 Serbia – Kosova

18:00 Norvegjia – Sllovakia