Kualifikimet e Evropianit: Kosova, gati për sfidën e sontme

Sport March 22, 2018 - 16:00

Përfaqësuesja U-21 e Kosovës është e gatshme për sfidën e sontme ndaj Azerbajxhanit U-21, e vlefshme për kualifikimet e Evropianit 2019, shkruan sot gazeta Zëri.

“Dardanët” e rinj janë grumbulluar dhe kanë ushtruar ditëve të fundit në fushën me bari sintetik “Top Football” në Mazgit, para sfidës së sontme, e cila do të zhvillohet në stadiumin “Adem Jashari”.

Shtabi teknik i Kosovës U-21, i drejtuar nga trajnerët Rafet Prekazi, Erdogan Celina e Naser Prapashtica janë të kënaqur me atë që e panë në ditët që shkuan gjatë stërvitjeve në Mazgit dhe në stadiumin e 2 Korrikut, ndërsa presin rezultat pozitiv në duelin e sontëm, i cili fillon në orën 19:00.

“Në të gjitha ndeshjet e deritashme kemi treguar lojëra të mira dhe këta djelmosha kanë treguar se kanë potencial. Ne duhet të jemi të vetëdijshëm se jemi ekip i ri dhe realisht kundër asnjë rivali nuk mund të jemi favorit, por duhet ta japim 200 përqindëshin në fushë. E dimë fare mirë kë e kemi kundërshtar, por qysh në fillim të këtyre kualifikimeve kam thënë se Kosova nuk do të jetë kafshatë e lehtë dhe kjo edhe u dëshmua”, deklaroi fillimisht selektori Rafet Prekazi.

Image

“Tash pas çdo ndeshjeje ekipi po bëhet më kompakt. Dy lojtarë nga ky ekip kanë kaluar në Përfaqësuesen A dhe ky është një sukses. Edhe në dy ndeshjet e radhës pres që këta djelmosha ta japin maksimumin e tyre, por atyre iu duhet përkrahja e tifozëve, ashtu siç ju ka dhënë në ndeshjet e kaluara në Mitrovicë nga ‘Dardanët’ dhe populli i Kosovës, sepse ata janë të etshëm për lojë të mira. Mendoj se tifozët janë të kënaqur me paraqitjet e këtyre djelmoshave, kurse qëllimi ynë është që në çdo ndeshje të hyjmë për të treguar cilësi dhe normalisht për të korrur sukses”, përfundoi trajneri mitrovicas.

Kosova U-21 e zhvillon ndeshjen tjetër më 27 mars ndaj Gjermanisë U-21, po ashtu në Mitrovicë. /Zëri/