Autostrada njëdrejtimëshe

Sport March 22, 2018 - 11:41

Autostrada “Rruga e Kombit” është bërë njëdrejtimëshe. Trajnerët kosovarë assesi nuk po ia mësyjnë asaj për të shkuar në Shqipëri, ku vazhdojnë ta kenë të pamundur të gjejnë punë. Madje, për trajnerët kosovarë ka ardhur kohë shumë e vështirë edhe në Kosovë. Janë trajnerët nga Shqipëria ata që përmes “Rrugës së Kombit” po vijnë për të punuar në Kosovë. Pas Mirel Josës, Bledi Shkëmbit dhe Gugash Maganit në Kosovë së fundmi erdhi i njohuri tjetër Sulejman Starova. Kështu, në Superligën e Kosovës momentalisht janë duke punuar vetëm gjashtë trajnerë kosovarë, shkruann sot, gazeta "Zëri". 

Siç dihet, kampionati i Shqipërisë kaherë i ka mbledhur futbollistët më të mirë të Superligës së Kosovës, por assesi trajnerët kosovarë, për të cilët ka qenë e pamundur të gjejnë punë në kampionatin shqiptar. Kurse Kosova po e bën të kundërtën. Superliga kosovare ka nisur t’i mbledhë trajnerët më të mirë nga Shqipëria, të cilët konsiderohen si meritorë të mëdhenj në përparimin e shpejtë dhe të madh të superiores shqiptare.

Në fakt, ofertat që po i marrin nga klubet kosovare po dalin të jenë të parefuzueshme për disa nga trajnerët më të njohur në Shqipëri. Rasti i fundit është i Sulejman Starovës. Njeriu që i ka fituar dy tituj të kampionit në Shqipëri, ku i ka drejtuar disa nga klubet më të mëdha shqiptare ka vendosur që karrierën ta vazhdojë në Superligën e Kosovës.

62-vjeçari i ka thënë “Po” Feronikelit, me të cilin klub do ta kërkojë titullin e kampionit të Kosovës. Starova është ndër trajnerët më të mirë shqiptarë. Si trajner ai ka udhëhequr ekipe si Partizani, Tirana, Besa e Kavajës, Teuta e Durrësit dhe Kukësi. Gjithashtu ka qenë drejtor teknik i Partizanit dhe i Teutës. Ishte një kohë edhe drejtor sportiv i Partizanit. Së fundmi ai e kishte drejtuar Partizanin si kryetrajner. Deri në vitin 2004 Starova ka qenë edhe sekretar i përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Futbollit. Ai ka qenë edhe selektor i Shqipërisë U-21.

Është kampion i dyfishtë i Shqipërisë – një herë me Partizanin dhe një herë me Tiranën. Starova ka thënë se e ka pranuar kërkesën e Feronikelit për t’i ndihmuar në luftën për titull të kampionit të Kosovës, raporton "Zëri".

Në këtë luftë Starova do t’i sfidojë dy trajnerët tjerë nga Shqipëria – Mirel Josën që i ka fituar pesë tituj të kampionit dhe dy Superkupa në Shqipëri e po ashtu Bledi Shkëmbin, një ish-futbollist i famshëm shqiptar që karrierën e trajnerit e ka nisur me sukses në Kosovë. Mirel Josa me Prishtinën janë në vendin e dytë në Kosovë me 43 pikë, një më pak sesa kryesuesja Drita dhe dy më shumë sesa Liria e Bledi Shkëmbit që po ashtu po e kërkon titullin. Kurse, “Nikli” i Starovës është në vendin e katërt me 38 pikë.

Përpos Josës dhe Shkëmbit, Starova në Superligën kosovare e ka gjetur edhe trajnerin tjetër të njohur në Shqipëri, Gugash Maganin, i cili po e udhëheq kampionen në fuqi, Trepçën ’89. Kjo e fundit ka ngecur në luftën për titull pasi është e gjashta në tabelë me 36 pikë.

Kohë të vështira për trajnerët kosovarë

Deri më tani futbolli kosovar ka qenë mundësia thuajse e vetme për të punësuar trajnerët e Kosovës. Por tani gjërat kanë ndryshuar dhe ka ardhur kohë e vështirë për t’i gjithë ata.

Bekim Isufi i Dritës, Arbnor Morina i Gjilanit, Tahir Batatina i Llapit, Arsim Gojani i Vëllaznimit, Valdet Shoshi i Besës dhe Agron Selmani i Vllaznisë janë trajnerët e vetëm kosovarë aktualisht të punësuar në Superligë. Derisa Josa po punon në Prishtinë, Shkëmbi në Liri, Magani te Trepça ’89 dhe Starova në Feronikel, janë dy ekipe tjera që kanë sjellë trajnerë nga jashtë. Flamurtarin e udhëheq Gujar Rexhepi nga Maqedonia, kurse Drenicës i prin Sadat Pajaziti nga Lugina e Preshevës.  

Injorimi kthehet në “bumerang”

Trajneri i Llapit, Tahir Batatina, kohë më parë pati reaguar ndaj ardhjeve të trajnerëve të Shqipërisë. Ai u thoshte trajnerëve kosovarë të presin vetëm edhe pak kohë sepse trajnerët e ardhur nga Shqipëria shumë shpejt do të dështojnë në kampionatin kosovar dhe do të kthehen në Shqipëri përmes autostradës prej nga kanë ardhur. Mirëpo, ky parashikim i Batatinës nuk ka dalë. “Rruga e Kombit” është bërë njëdrejtimëshe, shkruan "Zëri".

Përmes saj trajnerët kosovarë nuk po udhëtojnë fare drejt Shqipërisë për të punuar atje, kurse përmes kësaj autostrade vazhdojnë ardhjet e trajnerëve nga Shqipëria. Madje, janë pikërisht Mirel Josa, Bledi Shkëmbi dhe Sulejman Starova që kanë mbetur seriozisht në garë për titullin e kampionit, të cilën luftë momentalisht po e dominon kosovari i vetëm, Bekim Isufi me Dritën.

Numri pritet të rritet

Superligës pritet t’i shtohet edhe një trajner nga Shqipëria. Fjala është për Bledar Devollin, i cili me KEK-un po ecën sigurt nga Liga e Parë drejt Superligës. /Zëri/