Ronaldo vs Messi!

Sport March 22, 2018 - 11:27

Derisa Barcelona thuajse e ka kryer punën sa i përket titullit të kampionit në La Liga, duke e lënë Real Madridit larg me “kilometra”, sfida ndërmjet Lionel Messit dhe Cristiano Ronaldos ka nisur të nxehet shumë javëve të fundit. Ata po synojnë ta fitojnë çmimin “Pichichi”, por duhet të jenë të suksesshëm edhe në Champions

Në një kampionat spanjoll që, edhe pse ende jomatematikisht, kanë mbetur edhe nëntë xhiro deri në përfundim të sezonit tashmë dihen thuajse të gjitha sa i përket titullit të kampionit, i cili këtë radhë me gjasë do t’i takojë Barcelonës.

Mirëpo në La Liga kemi ende motiv për ta gjetur një sfidë ndërmjet Real Madridit dhe Barcelonës. Në fakt, sfida është përqendruar në aspektin individual në mes Lionel Messit dhe Cristiano Ronaldos. Dy yjet po ballafaqohen në mes vete në një duel në distancë se cili po shënon më shumë. Portugezi do të mundohet ta kalojë argjentinasin në renditjen e golashënuesve më të mirë në La Liga. Në këtë përballje kokë më kokë, ato që mund të hyjnë në mes janë ekipet italiane, Roma e Juventusi, kundërshtarët e radhës të dy gjigantëve spanjollë në Ligën e Kampionëve.

Gjithmonë duke shënuar

Nëse i shikojmë numrat dhe statistikat mund t’ju kapë frika. Dy lojtarët më të rrezikshëm të viteve të fundit janë “makina” para portës. Barcelona e ka përpara Lionel Messin, i cili po shënon gjithnjë në gjashtë ndeshjet e fundit, në të cilat ka realizuar 8 gola ndërmjet Championsit dhe La Ligas.

Edhe më mbresëlënëse është seria e Cristiano Ronaldos: 15 gola në 8 ndeshjet e fundit, edhe pse portugezit asnjëherë nuk i ka munguar afërsia me golin pasi ka realizuar 19 sosh që prej fillimit të vitit 2018. Në harkun e dy javëve në vazhdim përballë tyre do të jenë portierët si Buffon e Alisson, të cilët do të mundohen t’i ndalin këto “fabrika” të golit në Champions.

Sfida për “Pichichi”-n

Duke qëndruar në tokën “Iberike”, sfida më e madhe në mes Ronaldos dhe Messit është ajo për titullin “Pichichi”, respektivisht çmimi i golashënuesit më të mirë në La Liga.

Me serinë e golave të shënuar nga “CR7”-shi, i cili vetëm të dielën e kaluar ka realizuar katër gola ndaj Gironas, njëjtë sa Mauro Icardi për Interin dhe Mohamed Salah për Liverpoolin, duket se gara do të jetë “e nxehtë” deri në fund të sezonit.

Portugezi ka realizuar 22 gola deri më tash karshi 25 të argjentinasit.

Një rikthim sensacional i Ronaldos, duke menduar se në xhiron e 12-të, Messi ishte në kuotën e 12 golave dhe Ronaldo e kishte realizuar vetëm një gol.

Sidoqoftë, portugezi duket se kishte besuar gjithmonë dhe këto ditë është bërë publik një lajm përmes një programi radiofonik sportiv, i cili kujton se pikërisht kur diferenca ishte aq e madhe Ronaldo u kishte thënë shokëve të skuadrës në dhomat e zhveshjes: “Këtë vit do ta fitoj ‘Pichichin’ unë”.

Njëjtë siç mund ta fitojë edhe titullin e golashënuesit më të mirë të Championsit këtë sezon, i cili e sheh portugezin në krye të klasifikimit me 12 gola, shumë larg Messit, i cili deri më tash ka shënuar “vetëm” gjashtë gola.

Dominimi i Barcelonës

Mit apo realitet, distanca në mes të dy skuadrave në kampionat tashmë duket e pakthyeshme për të gjithë ata që përcjellin futboll. Tifozët e Realit llogarisin në idilin e tyre, kurse në Barcelonë insistojnë duke thënë se ajo çfarë u intereson janë titujt që fitojnë me skuadrën e jo mirënjohjet e shpërblimet individuale.

Pa marrë parasysh renditjen e golashënuesve në ligat nacionale apo evropiane është e qartë se si Ronaldo, ashtu edhe Messi janë ata që synojnë ta arrijnë finalen e Championsit, dikush për ta shpëtuar një sezon që nuk kishte nisur në mënyrën më të mirë të mundshme e tjetri për ta realizuar ëndrrën që ta fitojë “Treshen” me ekipin “Blaugrana” dhe duket se të dy kanë vendosur ta bëjnë këtë duke shënuar sa më shumë gola. Mjerë ekipet kundërshtare...

Fakt

Messi dhe Ronaldo po “luftojnë” për ta fituat çmimin “Pichichi”.

Fakt

Ronaldo ka realizuar 12 gola këtë sezon në Champions, derisa Messi ka vetëm 6.