Përfaqësuesja grumbullohet në Paris

Sport March 22, 2018 - 11:26

Përfaqësuesja e Kosovës është grumbulluar të martën në Paris të Francës, ku do t’i zhvillojë dy ndeshje miqësore në ditët e fundit të këtij muaji, më 24 e 27 mars, në datat e lira të FIFA-s, raporton "Zeri.info".

Verdhekaltrit janë kompletuar të mërkurën, kur edhe i kanë zhvilluar dy seanca stërvitore, një paradite dhe një pasdite. Ndërkaq ekipi i trajnerit Bernard Challandes do t’i zhvillojë sot edhe dy seanca tjera stërvitore, derisa të premten do ta kryejnë një seancë ushtrimore. Të shtunën Kosova e luan ndeshjen e parë miqësore nën drejtimin e trajnerit zviceran: luan me Madagaskarin duke filluar nga ora 20:00. Përfaqësuesja do t’u kthehet stërvitjeve të dielën dhe të hënën, kurse ndeshjen e dytë miqësore do ta zhvillojë të martën nga ora 18:00 me Burkina Fason. Kjo do të jetë një mundësi ideale për trajnerin Challandes për t’u njoftuar me ekipin për t’ua treguar lojtarëve filozofinë e tij dhe për t’u njohur nga afër me kualitetet e tij. Kosova do të qëndrojë në Francë nga 20 deri më 27 mars. /ZERI