Kosova 'kopjon' Manchester Cityn

Sport March 21, 2018 - 14:08
Përzgjedhësi i ri i Kosovës Bernard Challandes tash për tash nuk është duke menduar për kualifikim në “Euro 2020”. Trajneri zviceran paraprakisht planifikon t’i kryejë dy punë të mëdha, madje me urgjencë. Fillimisht dëshiron ta përmirësojë dukshëm mbrojtjen e Kosovës, e cila në dhjetë ndeshje kualifikuese i kishte pësuar 24 gola. Pastaj planifikon ta përmirësojë edhe sulmin, i cili mezi i ka shënuar tri gola në dhjetë ndeshje. Në një intervistë për “Zërin” zvicerani thotë se Manchester City do të jetë model i Kosovës. Challandes do t’ua lëshojë videot e ndeshjeve të liderit të Premierligës angleze “Dardanëve” të tij për të marrë mësim se si duhet të mbrohen dhe të sulmojnë bashkërisht

Posa u prezantua në postin e përzgjedhësit kosovarët nisën ta pyesin Bernard Challandesin nëse do të mundë ta kualifikojë Përfaqësuesen e Kosovës në Kampionatin Evropian të vitit 2020, shkruan sot gazeta Zëri.

Kësaj pyetjeje me vështirësi i përgjigjet edhe sot trajneri zviceran, i cili nuk është në gjendje ta premtojë një kësi të arriture kur e di se në dispozicion do ta ketë një skuadër që në kualifikimet e botërorit “Rusia 2018” nuk ka arritur ta regjistrojë asnjë fitore, në përjashtim të një barazimi karshi nëntë humbjeve.

Një ekip i cili në dhjetë ndeshje kualifikuese i ka shënuar vetëm tri gola dhe në anën tjetër i ka pësuar 24 sosh.

Challandes edhe sot thotë se ka ardhur për të bërë punë të mëdha në reprezentacionin kosovar.

Ai thotë se kualifikimi në “Euro 2020” duhet të provohet. Por, vetes ia ka qitur përpara një tjetër synim.

Ai paraprakisht dëshiron ta përmirësojë me të madhe mbrojtjen e Kosovës, por edhe sulmin, për të shpresuar pastaj në një kualifikim eventual në “Euro 2020”.

“Gjëja më e rëndësishme është të fillojmë të punojmë fort në aspektin defanziv. Kjo nuk do të thotë se do të luajmë defanzivë, por ne i kemi pranuar 24 gola në eliminatoret e Botërorit, kjo është shumë. Është e pamundur të fitosh nëse i pranon së paku tre gola për një ndeshje. Nuk po them veç për mbrojtësit, por për mentalitetin e të gjithë ekipit. Unë do të filloj, do të punoj në aspektin defanziv, sepse unë i kam parë golat që i kemi pësuar, është e pamundur dhe e papranueshme të pranosh aq shumë gola. Kjo vlen për krejt ekipin, duhet të mësojmë se si të mbrohemi”, ka thënë zvicerani në një bisedë me gazetën.

Për më tepër, Challandes e ka zgjedhur gjigantin anglez Manchester City si model për ekipin e tij kosovar.

Manchester City po “shkel” në Premierligën angleze, ndërsa Challandes thotë se mbrojtja e fortë e këtij ekipi po rezulton pozitivisht edhe në një sulm të fortë.

“Për shembull, unë do t’ua tregoj futbollistëve pamjet nga ndeshja e fundit e Manchester Cityt ndaj Chelseat, ku e shohim se 11 lojtarët gjenden në 30 metrat e fundit. Aguero vrapon 50-60 metra për ta ndihmuar mbrojtjen. Po flasim për një klub si Manchester City, të mos harrojmë. Ky është futbolli modern, ky është një model që duhet ndjekur edhe ne. Për mua është fillimi me ekipin, që t’u shpjegoj se çka dua rreth mbrojtjes”, deklaroi Challandes për “Zërin”.

Bernard Challandes insiston se mbrojtja e dobët është problemi kryesor i Kosovës. Por assesi i vetmi.

Sipas përzgjedhësit të ri, Kosova përballet edhe me një krizë të madhe në repartin ofanziv. Duke iu referuar rezultateve të kualifikimeve të botërorit “Rusia 2018”, trajneri zviceran thotë se vetëm tri gola të shënuara në dhjetë ndeshje të zhvilluara është efikasitet tepër i ulët i një ekipi që e ëndërron kualifikimin në “Euro 2020”.

“Me punën që do ta bëjmë duhet ta gjejmë zgjidhjen. Kemi lojtarë të mirë përpara si Rashica, Muriqi, Celina, Zeneli, Bernard Berisha, Nuhiu, etj. Por, efikasiteti nuk është i mirë dhe i mjaftueshëm. Pra, puna ime e dytë është kjo, pas asaj të mbrojtjes”, u shpreh Challandes.

Ai tha se nuk do të punojë vetëm në mbrojtje dhe në sulm, por edhe në shumëçka tjetër gjatë dy vjetëve sa do ta drejtojë Kosovën.

“Do të punojmë rreth intensitetit, koncentrimit, se si duhet të flasim së bashku. Unë po e shijoj këtë fillim të eksperiencës”, përfundoi Challandes, i cili në stolin e Kosovës do të debutojë më 24 dhe më 27 mars me dy miqësoret që ekipi i tij do t’i zhvillojë në Francë kundër Madagaskarit dhe Burkina Fasos. /Zëri/