Vllaznia e vogël, sherrin e madh

Sport March 21, 2018 - 13:40

Vllaznia aktualisht është e fundit në Superligën e Kosovës në futboll me më së paku gjasa për të mbijetuar.

Për më tepër, i takon një fshati të Komunës së Vitisë, Pozheranit, shkruan sot gazeta Zëri.

Edhe pse konsiderohet si një klub i vogël që nuk ka as stadium në dispozicion Vllaznia u ka bërë sherr të madh disa klubeve të mëdha, por edhe trajnerëve shumë të suksesshëm.

Në fund të edicionit të kaluar Vllaznia e kishte mposhtur në barazh ekipin e njohur Ferizajn, duke e rrëzuar në Ligën e Parë për t’u inkuadruar vetë në Superligë. Inkuadrimin në garat elitare Vllaznia e kishte bërë me përforcime të shumta dhe mjaft të mëdha.

Por, ato nuk i kishin ndezur siç kishte pritur. Megjithatë, në sezonin e parë pjesëmarrës në Superligë ky ekip kohë pas kohe i mori në qafë disa skuadra të mëdha ambicioze, të cilave u nxori pikë dhe i detyroi t’i shkarkojnë trajnerët e tyre pse i ka shtyrë trajnerët e tyre të dorëhiqen.

Kjo së fundmi ndodhi me Ismet Munishin, një trajner kampion dhe nënkampion në futbollin kosovar.

Munishi të hënën dha dorëheqje nga posti i trajnerit të Feronikelit.

Dorëheqja e tij erdhi një ditë pas barazimit të Feronikelit me Vllazninë (0:0), i cili ia pamundësoi ekipit nga Drenasi t’i afrohet kreut.

Sherrin Vllaznisë më herët ia kishin parë edhe Zekirija Ramadani.

Ishte pjesa e parë e kampionatit kur Trepça ’89 si kampione në fuqi ishte mposhtur nga Vllaznia e Pozheranit, të cilën humbje nuk e kishte kapërdirë dot presidenti Abedin Zeka, i cili kishte vendosur ta shkarkojë trajnerin që e kishte fituar titullin e kampionit për ta emëruar një trajner tjetër.

Ishte pikërisht Vllaznia e cila kishte nisur t’ia lëkundë karrigen edhe Arsim Thaçit.

Kjo pasi Prishtina ishte mundur me vështirësi me ç’rast pasiguria kishte ngritur alarm në Kryesi, e cila në njërën anë kishte bërë investime të mëdha për titull e në anën tjetër kishte nisur të haste në vështirësi.

Nuk kishte vonuar shumë ardhja e Mirel Josës fillimisht në postin e drejtorit për ta ndërruar pastaj pozitën me Thaçin.

Vllaznia deri më tani i ka shënuar vetëm 3 fitore e 4 humbje krahas 17 humbjeve.

Prej këtyre 13 pikëve të fituara deri më tani shtatë nga to i ka nxjerrë në duele me skuadra të mëdha.

Tri i kishte fituar përballë kampiones aktuale Trepçës ’89, tri të tjera ndaj Besës, e cila sot rrezikon seriozisht për të rënë nga liga, kurse nga një barazim pa gola e kishte nxjerrë përballë kandidatëve për titull Gjilanit dhe Lirisë, e cila sot është e treta në Superligë me dy pikë më pak sesa Prishtina dhe tri më pak sesa kryesuesja, Drita. /Zëri/