Superliga në 'rehabilitim'

Sport March 21, 2018 - 13:38

Gara e jashtëzakonshme që po zhvillohet në Superligën kosovare për titullin e kampionit dhe për Kupën e Kosovës do të pushojë për disa ditë, shkruan sot gazeta Zëri.

Ajo do të vazhdojë prej 31 marsit, përkatësisht pas dy ndeshjeve miqësore që Përfaqësuesja e Kosovës do t’i zhvillojë më 24 dhe më 27 mars në Francë kundër Madagaskarit dhe Burkina Fasos.

Për këto dy ndeshje përzgjedhësi i Kosovës i ka ftuar vetëm dy lojtarë nga Superliga e Kosovës.

Ata janë portierët e Trepçës ’89 dhe të Feronikelit, Bledar Hajdini dhe Faton Maloku.

Sidoqoftë, ky pushim është i mirëseardhur për klubet elitare, të cilat po bëjnë luftë të madhe.

Ky pushim do t’u shërbejë atyre për të pushuar dhe për t’u qetësuar nga gara e jashtëzakonshme, por edhe për t’u përmirësuar në rrugën drejt synimeve të tyre.

Pas ndeshjes së Kosovës do të vazhdojë gara kampionale, deri në fund të së cilës kanë mbetur edhe nëntë xhiro.

Drita, Prishtina, Liria, por edhe Feronikeli e Llapi po e kërkojnë seriozisht titullin, kurse lufta për mbijetesë tashmë i ka prekur shumë skuadra. /Zëri/