Në kërkim të sponsorëve

Sport March 21, 2018 - 12:50

Ministria e Sportit ishte njëra prej iniciatoreve të fuqizimit të Ligjit për Sponsorizim, i cili ishte stërzgjatur me vite derisa e mori dritën e gjelbër pak muaj më parë.

Tash MKRS-ja, së bashku me institucionin më të lartë sportiv në vend – Komitetin Olimpik të Kosovës, e kanë nisur një ofanziv për vënien në jetë të këtij Ligji, i cili konsiderohet si shpëtim për sportin kosovar.

Këto dy institucione kanë nisur të mbajnë konferenca dhe të zhvillojnë takime me biznese të ndryshme me qëllim vetëdijesimin e tyre që të kyçen në sport, pasi tash e tutje do të kenë edhe përfitime, respektivisht lehtësime nga tatimet për dallim nga shpenzimet pa kthim që i kishin bërë deri më tash.

Të martën është mbajtur një tryezë e diskutimit lidhur me aktet ligjore që kanë të bëjnë me sponsorizimin dhe përfitimet që dalin nga këto politika të reja të MKRS-së për palët përfituese, si dhe për bizneset.

Në tryezën e organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë mori pjesë edhe ministri i Sportit Kujtim Gashi, i cili tha se ky ligj rregullon përkrahjen dhe mbështetjen financiare e materiale të aktiviteteve, në këtë rast sportive, përmes sponsorizimeve dhe reklamave.

“Qëllimi i sponsorizimit është realizimi, përkrahja, promovimi dhe mbështetja e veprimtarive dhe aktiviteteve në fushën e kulturës, rinisë dhe sportit”, u shpreh ministri.

“Ne e kemi nxjerrë një rregullore e cila e lehtëson zbatimin e këtij ligji. Tani ka mbetur koordinimi me Ministrinë e Financave. Besoj që deri në qershor t’i kemi të harmonizuara të gjitha”, shtoi ministri Gashi.

“Me fillimin e zbatimit të këtij Ligji dhe të akteve të tjera nënligjore që lidhen me këtë Ligj do të kemi avancim dhe ngritje të performancës nga këto tri fusha. MKRS-ja me këtë rast do të ketë mundësi që buxhetin ta orientojë në infrastrukturë, e cila do të shërbejë në plotësimin e standardeve të përcaktuara nga UEFA dhe nga FIFA”, përfundoi ai.

Ndërkohë, drejtuesit e KOK-ut i kanë nisur takimet me kryetarë të komunave.

Të martën krerët e këtij institucioni kanë takuar kryetarët e komunave të Pejës, Istogut dhe të Klinës, si dhe bizneset e tyre dhe klubet.

Qëllimi i takimeve është sqarimi me Rregulloren për përcaktimin e kritereve, procedurave dhe të formës për vërtetimin e sponsorizimit në fushën e sportit pas hyrjes në fuqi të Ligjit dhe të Rregullores së Sponsorizimeve.

Në ditët në vijim KOK-u do të takohet edhe me drejtuesit e komunave të tjera. /Zëri/