Challandes nis ndryshimin në Kosovë

Sport March 20, 2018 - 13:07
Bernard Challandes e ka nisur përpjekjen për të bërë ndryshime pozitive në Përfaqësuesen e Kosovës. Trajneri zviceran e ka zbuluar të hënën listën e të ftuarve për dy miqësoret e marsit, me Madagaskarin e Burkina Fason, ku vërehen disa prurje, por edhe mungesa. Përzgjedhësi thotë se ky grumbullim do t’i shërbejë shumë për t’u njoftuar me lojtarët, për ta parë kapacitetin e tyre dhe për t’ua treguar filozofinë e tij. Lojtarëve që ua jep shansin u bënë thirrje ta shfrytëzojnë atë sepse mund të presin gjatë për një mundësi të dytë

Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) e ka zbuluar të hënën listën e futbollistëve të ftuar nga përzgjedhësi Bernard Challandes për dy ndeshjet e marsit, më 24 ndaj Madagaskarit dhe më 27 të këtij muaji në duelin me Burkina Fason.

Pasi trajneri zviceran gjendet në atdheun e tij, ishte shtëpia e futbollit kosovar që e publikoi listën ku shihen disa risi, por edhe mungesa.

Challandes ka ftuar 23 futbollistë, ndërsa Përfaqësuesja do të mblidhet në Francë nga 20 deri më 27 mars, shkruan sot gazeta Zëri.

Ky njëherësh do të jetë debutim për trajnerin zviceran, i cili do ta ketë mundësinë ta njohë më mirë ekipin.

Challandes: Këto janë risitë që ua premtova

Bernard Challandes gjatë prezantimit të tij në Prishtinë si selektor i ri i Kosovës kishte premtuar risi dhe ndryshime në ekip.

Dhe, zvicerani e bëri hapin e parë në këtë drejtim me listën e publikuar dje.

Në këtë listë mungojnë emrat si Valon Berisha, Besar Halimi etj., por shihen edhe afrimet si Idriz Voca, Gjelbrim Taipi e Edon Zhegrova.

Challandes këtë grumbullim dhe dy miqësoret e marsit i sheh si një mundësi ideale për të për t’u njoftuar me ekipin dhe për t’ia shpalosur atij filozofinë e tij të lojës.

Po ashtu mendon se është një rast i artë për disa futbollistë, të cilët ftohen për herë të parë në Përfaqësuese, por edhe për ata që kanë më pak hapësira.

Në miqësoret me Madagaskarin e Burkina Fason ai premton se do të ketë hapësira për të gjithë të ftuarit.

“Ky natyrisht se nuk është ekipi më i mirë që e kam në dispozicion. Nuk janë të gjithë lojtarët, por është një mundësi për mua që t’i shoh lojtarët e tjerë. Është një mundësi e mirë t’i shoh shumë lojtarë në kampin stërvitor. Për mua është hera e parë që e grumbulloj ekipin. Unë e di se çka mund të bëjë Valon Berisha. Ai është i mirë, por pse të mos i shikoj lojtarët e tjerë, që ndoshta nuk i njoh mirë”, shprehet Challandes në një bisedë me “Zërin”.

“Për mua e rëndësishme është t’i zbuloj lojtarët, t’i njoh më mirë ata, edhe pse nuk mund t’i vizitoja fizikisht sepse nuk kishte kohë në dispozicion. I kam parë lojtarët përmes videove, por tash do të jetoj me ta, do t’u shpjegoj se çka dua nga ta, do t’u shpjegoj se çka mund të bëjmë së bashku. Është takimi i parë me ekipin, është mjaft i rëndësishëm. Dua ta shoh se çka mund të bëjnë ata në stërvitje dhe në lojë. Unë do t’i shikoj dy ekipe, do t’i provoj të gjithë lojtarët në situata të ndryshme”, nënvizoi trajneri zviceran.

Ai shton se ky grumbullim do të jetë një pasqyrë e mirë për të, pasi ia mundëson që në grumbullimet e ardhshme të vendosë për lojtarët që i nevojiten, që i përshtaten filozofisë së tij.

Sa u përket ndeshjeve me Madagaskarin dhe me Burkina Fason, ai thotë se rezultati për momentin është në plan të dytë, pasi më me rëndësi është të njoftohet me ekipin, edhe pse e pranon se gjithmonë ka dëshirë të fitojë, njëjtë edhe në këto ndeshje.

Duhet shumë punë në aspektin defanziv

Mbrojtja ishte defekti kryesor i Kosovës në eliminatoret e Botërorit 2018.

Për këtë Challandes thotë se duhet punuar në këtë aspekt nëse Përfaqësuesja dëshiron të ketë suksese.

“Gjëja më e rëndësishme është të fillojmë të punojmë fort në aspektin defanziv. Kjo nuk do të thotë se do të luajmë defanzivë, por ne i kemi pranuar 24 gola në eliminatoret e Botërorit, kjo është shumë, është e pamundur të fitosh nëse i pranon së paku tre gola për një ndeshje. Nuk po them veç për mbrojtësit, por për mentalitetin e të gjithë ekipit, duhet të mësohemi të mbrohemi si ekip. Është e papranueshme të pranosh aq shumë gola”, thotë Challandes.

As sulmi s’është mirë

As në aspektin ofanziv Kosova s’është se qëndroi mirë në eliminatoret e fundit, ku shënoi vetëm tre gola në 10 ndeshje. Edhe aty po planifikon të punojë zvicerani.

“Sa i përket sulmit, ne kemi lojtarë të mirë. Por, i kemi shënuar vetëm tre gola, imagjinojeni. Prej tyre një penallti dhe një gol nga korneri. Kjo nuk është e mjaftueshme. Me punën që do ta bëjmë duhet ta gjejmë zgjidhjen. Kemi lojtarë të mirë përpara si Rashica, Muriqi, Celina, Zeneli, Bernard Berisha, Nuhiu etj. Por, efikasiteti nuk është i mirë dhe i mjaftueshëm. Pra, puna ime e dytë është kjo”, përfundoi ai. /Zëri/

Lista e të ftuarve

Portierë:

Samir Ujkani (UC Cremonese), Bledar Hajdini (KF Trepça ’89) e Faton Maloku (KF Feronikeli).

Mbrojtës

Amir Rrahmani (GNK Dinamo Zagreb), Leart Paqarada (SV Sandhausen), Mërgim Vojvoda (R.Mouscron), Ardin Dallku (FC Vorskla Poltava), Fidan Aliti (KS Skënderbeu), Lirim Kastrati (AS Roma U21), Benjamin Kololli (FC Laussane) e Alban Pnishi (Grasshoper);

Mesfushorë

Hekuran Kryeziu (FC Luzern), Idriz Voca (FC Luzern), Herolind Shala (Lyngby Boldklub), Gjelbrim Taipi (Grasshoper), Edon Zhegrova (KRC Genk), Arbër Zeneli (FC Herenven), Bernard Berisha (FC Akhmat), Bersant Celina (Ipswich Town FC) e Milot Rashica (SV Werder Bremen);

Sulmues

Elbasan Rashani (Odds BK), Atdhe Nuhiu (Sheffield Wendesday) e Vedat Muriqi (Caykur Rizespor).