Shqipëria i merr të dy vëllezërit kosovarë

Sport March 20, 2018 - 10:31

Derisa Enis Gavazaj tashmë është bërë futbollist i Kombëtares A të Shqipërisë, edhe vëllai i tij, Zenel Gavazaj, do ta vazhdojë karrierën duke i përfaqësuar ngjyrat kuqezi, e jo ato verdhekaltër të vendlindjes së tij, Kosovës.

Lojtari i ri i Lirisë së Prizrenit është ftuar në ekipin U-19 të Shqipërisë nga trajneri Erjon Bogdani, shkruan sot gazeta Zëri.

Këtë e ka konfirmuar vetë ish-sulmuesi i Shqipërisë.

“Zenel Gavazaj është vëllai i Enis Gavazajt të Skënderbeut. Ai luan te Liria e Bledi Shkëmbit në Kosovë. Është aktivizuar atje, ka pasur minutazh. Të shohim gjatë grumbullimit se si do të shkojë”, ka thënë Bogdani.

Kështu, FSHF-ja vazhdon t’i “peshkojë” talentët kosovarë pavarësisht ndërkombëtarizimit të FFK-së, e cila po tregohet e ngathën në afrimin e talentëve të rinj. /Zëri/

Image