Rugova kundër Fetahut për kryetar të FBK-së

Sport March 20, 2018 - 10:24

Gara për kryetar të Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK) tashmë ka filluar, shkruan sot gazeta Zëri.

Më 5 prill do të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme në shtëpinë e basketbollit për ta zgjedhur pasardhësin e Erolld Belegut, i cili para disa ditësh dha dorëheqje për shkak të angazhimeve të tij në politikë, përkatësisht shkaku i funksionit të këshilltarit të kryeministrit Ramush Haradinaj.

Duke dhënë dorëheqje Belegu kishte bërë thirrje që posti që e mbante t’i besohej Arben Fetahut, nënkryetarit të deritanishëm të FBK-së. Fetahu ishte i nominuar për kryetar edhe nga bordi i FBK-së.

Ndërkohë, Belegu të premten përmes profilit të tij në “Facebook” kishte njoftuar se Fetahu do të jetë kandidati i vetëm pasi askush tjetër nuk kishte arritur t’i mbledhë nënshkrimet e nevojshme të delegatëve për t’u kandiduar.

Me këtë rast Belegu kishte pohuar se kjo nënkupton se klubet dhe shoqatat janë të kënaqura me punën e deritanishme të tij, të nënkryetarit Fetahu dhe të anëtarëve të tjerë të Bordit të FBK-së.

Mirëpo, nuk vonoi shumë dhe Artan Rugova e lëshoi “bombën”. Ish-nënkryetari i FBK-së përmes një deklarate i hodhi poshtë pohimet e Belegut, duke njoftuar se i ka mbledhur nënshkrimet e nevojshme për t’u kandiduar për kryetar të FBK-së.

Kështu, Artan Rugova do të jetë kundërkandidat i Arben Fetahut më 5 prill për postin e kryetarit të FBK-së, gjë që e kishte paralajmëruar edhe gazeta “Zëri”.

“Pas lakimit të emrit tim në medie dhe pas propagandës që është vetëm një kandidat ju njoftoj se, me kërkesën dhe me përkrahjen e shumë klubeve dhe shoqatave dhe duke i plotësuar kushtet dhe normat statusore, unë jam zyrtarisht kandidat për kryetar të FBK-së në Kuvendin e datës 5 prill 2018”, ka deklaruar Rugova.

Ky i fundit është një personazh i njohur në basketbollin dhe në përgjithësi në sportin kosovar. Përveçqë pati qenë nënkryetar i FBK-së, Rugova pati qenë edhe drejtor i klubit më të madh në vend, Sigal Prishtinës.

Po ashtu ai e pati ushtruar edhe detyrën e nënkryetarit të Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), që është institucioni më i lartë sportiv në Kosovë.

Viteve të fundit nuk e ka kryer asnjë funksion në sport, por asnjëherë nuk i ka fshehur mospajtimet e tij me punën e udhëheqësve të deritanishëm të FBK-së.

Rugova ka qenë një basketbollist i njohur.

Mjaft i njohur si lojtar ka qenë edhe kundërkandidati i tij, Arben Fetahu.

Pikërisht e kaluara e tyre basketbollistike është gjëja më e mirë e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në shtëpinë e basketbollit.

Burimet e “Zërit” bëjnë të ditur se Rugova po i bën konkurrencë goxha të madhe Fetahut dhe bashkëpunëtorëve të tij në fushatën lobuese të sigurimit të votave.

Për momentin duket se gjithçka është e barabartë në garën në mes tyre. /Zëri/