Dukagjini, ‘foleja’ e talenteve (FOTO+VIDEO)

Sport March 19, 2018 - 16:49

Rrafshi i Dukagjinit ka nxjerrë “hon e don” lojtarë të mëdhenj, të cilët kanë bërë karrierë të bujshme jashtë vendit.

Këtë rrugë po e ndjek edhe klubi i futbollit Dukagjini nga Gjakova, i cili garon me ekipin senior në Ligën e Dytë të Kosovës, Grupi A.

Klubi nga fshati Novosellë është i fokusuar në punën me të rinj. Drejtuesit e këtij klubi tregojnë se për ta mbajtur një klub, sidomos të niveleve më të ulëta, nuk është aspak e lehtë.

Por, ata e kanë gjetur mbështetjen e atyre që ia duan të mirën klubit dhe që duan të ndihmojnë dhe në këtë mënyrë mbijetojnë.

Kryetari i klubit, Pren Kolaj ka folur fillimisht për historikun e klubit Dukagjini.

“Klubi i futbollit Dukagjini është themeluar në vitin 1975. Një grup entuziastësh të futbollit në atë kohë e kanë aktivizuar klubin. Në atë vit kemi bërë gara në Ligën Rajonale të Gjakovës, ku kanë qenë 14 ekipe. Dukagjini prej asaj kohë është aktiv. Deri në vitin 1985 ka garuar në Ligën Rajonalë të Gjakovës. Kurse, në sezonin 1985/86 ka kaluar në Ligën e Dytë pas dy kualifikimeve që kemi pasur për Ligën e Dytë. Prej asaj kohe jemi anëtar i rregullt i Ligës së Dytë, Grupi A, ku garojmë edhe tash”, thotë fillimisht ai për “Zërin”.

Image

Më pas, ai ka folur edhe për funksionimin e klubit nga Gjakova.

“Ta them të vërteten, klubi si klub funksionon duke iu falënderuar njerëzve vullnetmirë, të cilët ndihmojnë, sidomos diaspora, pasi ajo rrethinë e ka një numër të madh njerëzish që jetojnë në diasporë. Ata na kanë ndihmuar, sepse përndryshe nuk do të mund të mbijetonim. Sepse, sa marrim subvencione nga Komuna e Gjakovës, ajo është një shumë simbolike. Vitin që shkoi i kemi marrë 1,000 euro, e dihen shpenzimet që i kemi, vetëm për persona zyrtarë – gjyqtarët, për një ndeshje na shkojnë 250 euro. Prandaj, po të mos ishin njerëzit vullnetmirë, diaspora, por edhe njerëzit që punojnë këtu që kanë ndonjë biznes të vogël, që na kanë ndihmuar, nuk do të mund të arrinim këtu ku jemi”, shtoi Kolaj.

Ai tregon se Dukagjini sivjet është konsoliduar si ekip, është në mesin e tabelës. Synim i gjakovarëve është të jenë një ekip solid në Ligën e Dytë, aty ku garon.

Por, nëse flasim për plane më afatgjate, sigurisht se ambiciet e Dukagjinit rriten automatikisht.

“Synim yni me plan më afatgjatë është ngritja në një rang më të lartë garash, për arsye se KF Dukagjini e ka mesataren e lojtarëve rreth 21 vjeçar. Ne kemi edhe katër grupmosha dhe synojmë ta kemi tamam një ekip i cili është i pjekur, i denjë, në mënyrë që kur të kalojmë në një rang më lart të mos jemi aty vetëm për një vit dhe të kthehemi aty ku ishim. Synim yni është së pari edukimi sportiv i klubit, pastaj përgatitja e lojtarëve, që ata të jenë edhe sportistë të mirë, por të përgatiten edhe për një rang më të lartë, aty ku e ka vendin Dukagjini, për shkak se ka një përvojë 40 vjeçare”, vazhdoi kreu i klubit.

Kolaj shton se ajo trevë ka dhënë futbollistë që janë rritur jashtë dhe janë bërë lojtarë të mëdhenj.

Po flasim për Burim Kukelin, Markajn etj, që kanë dalë nga ajo pjesë.

Sa i përket vendit tonë, i fundit që ka luajtur tek Dukagjini është Gjergj Bushaj, i cili prej Dukagjinit ka kaluar tek Vëllaznimit, e më pas një kohë edhe në Kroaci në Istra, kurse tash është në Slloveni.

“Për këtë arsye i kemi katër grupmosha dhe synimi ynë është që të përgatitemi me kuadrot tona të reja, duke mos e përjashtuar që në të ardhmen të kemi lojtarë tjerë nga rrethina. Por, t’i japim lojtarë edhe Kombëtares së Kosovës, por edhe për jashtë, pse jo”, përfundoi ai.

Ndërkohë, sekretari i klubit, Marash Kukeli ka folur më në detaje rreth shkollës së futbollit, e cila funksionon për mrekulli në klubin e Dukagjinit.

“KF Dukagjini në kuadrin e vetë e ka edhe shkollën e futbollit. Pas luftës ka filluar riorganizimi i klubit. Menjëherë janë kyçur një numër i madh i grupmoshave nga Bashkësia Lokale e Novosellës. Në kuadër të kësaj e kemi themeluar shkollën e futbollit, e cila për momentin i ka katër grupmosha, të cilat garojnë në Ligën Rajonale të Gjakovës. Edhe dy grupmosha nuk janë duke garuar për momentin, por janë duke zhvilluar ndeshje miqësore”, shpjegon ai.

Image

“I kemi diku rreth 90 të rinj, por edhe të reja. E kemi pasur edhe ekipin e vajzave deri në moshën 12 vjeçare, por për shkak të kushteve dhe mundësive nuk kemi mundur të vazhdonim tutje, edhe pse kanë qenë diku afro 13-14 vajza, të cilat kanë ardhur rregullisht dhe e kemi mbajtur trajningun me to. Kohë pas kohe vijnë, por janë të inkuadruara në grupmoshat e djemve”, shton ai.

“Kurse, këto katër grupmoshat garojnë në Ligën Rajonale të Gjakovës, është viti i dytë që garojnë rregullisht. Punohet sipas kushteve tona mesatare, çdo grupmoshë e ka nga një trajner. E veçanta e gjithë kësaj është se kjo shkollë është shkollë e cila shërbimin e jep falas, fëmijët nuk e paguajnë asnjë cent për shërbimin të cilin e marrin, është shkollë pa pagesë. Fëmijët vijnë e shkojnë, duke e përfshirë edhe gardërobën, të gjitha i kanë falas, falë angazhimit tonë. Për këtë, klubi po funksionon mirë, jo ndoshta në atë nivelin që kemi dashur. Prej kësaj shkolle kemi arritur të dërgojmë lojtarë edhe në reprezentacionin e Kosovës. Vitin e kaluar e kemi pasur në U-15 një kandidat, që ka qenë aty gjatë gjithë kohës, derisa është bartur në U-17. Ka pasur lojtarë tanë që kanë marrë pjesë në testime të ndryshme edhe jashtë vendit, të cilat i kanë kaluar me sukses. Fokusi ynë është që ta masovizojmë dhe ta mbajmë këtë shkollë, sepse ka numër të madh të të rinjve dhe e veçanta në Bashkësinë tonë Lokale është se nuk ka aktivitete tjera përveç futbollit. Është shumë e vështirë të organizohet diçka tjetër përveç futbollit, sepse janë krijuar kushtet që të rinjtë të merren me këtë sport”, tregon ai.

Kukeli thotë se Dukagjini nuk është i mbyllur vetëm për Bashkësinë Lokale, duka ua hapur dyert edhe fëmijëve nga fshatrat tjera, por edhe atyre të qytetit.

“KF Dukagjini është klub rajonal, pasi e ka emrin KF Dukagjini Gjakovë, nuk është më klub lokal. Ka fëmijë edhe nga rajonet tjera, i kemi dyert e hapura. Por, kushtet e diktojnë atë që një fëmijë e ka vështirë të vijë prej një zone tjetër deri aty, për shkak se ne nuk kemi mundur ende të sigurojmë transport për fëmijët. Kemi kërkesa ditore, por fusha jonë ndodhet 6-7 kilometra prej qytetit dhe nuk kemi transport për t’i bartur fëmijët. Kjo është një pengesë pasi klubi ynë mund të zgjerohet edhe më shumë”, nënvizoi ai.

 

Kukeli ka folur edhe rreth stadiumit, një projekt ky në letër, por që ende nuk ka diçka konkrete rreth ndërtimit të tij.

“Ne e kemi bërë projektin e stadiumit. Jemi duke punuar, e kemi ndërtuar infrastrukturën e stadiumit. I kemi ndërtuar zhveshtoret dhe mund të them me lirinë më të madhe që i kemi zhveshtoret ndoshta më të mirat, që mund të krahasohen edhe me ato të Superligës. I kemi dy dhoma të mira, banjot, të cilat janë kusht elementar. Por, fusha si fushë ka mbetur në gjendje jo të mirë, akoma nuk kemi mundur të intervenojmë. I kemi dy projekte shumë të mira, me njërin kemi konkurruar, por fatkeqësisht nuk kemi pasur sukses që ta sjellim një fushë aty, por tendenca e jonë është që ta ndërtojmë një fushë të standardeve për shkak se është shumë e nevojshme që ta kemi një fushë të barit natyral. Besoj që shumë shpejt do ta ndërtojmë atë. Por, kemi qenë më të fokusuar tek infrastruktura, që ta kemi një hapësirë ku fëmijët mund të zhvishen normalisht, ta pinë një gotë ujë normalisht dhe ta kenë një tualet si duhet. Gjithashtu, edhe rrymën. Këto i kemi krijuar e tash fokusi ynë do të jetë në terrenet sportive. Aty gjendet një hapësirë e mirë dhe me ndihmën e Komunës mund ta krijojmë një fushë me standarde. Gjakova ka nevojë shumë për fusha, sidomos zonat periferike – rurale kanë nevojë jashtëzakonisht për fushë”, përfundoi sekretari Kukeli.

Ndërkaq, futbollisti i këtij klubi, Patrik Bushaj beson se për futbollin kosovar do të vijnë ditë të mira.

Ai po mundohet ta japë më të mirën për Dukagjinin në arritjen e objektivave, por e pranon se ëndërr e tij, si e çdo futbollisti, është që të shkojë sa më lartë të jetë e mundur.

“Kushtet në përgjithësi në Kosovë janë minimale, si fusha, si pagesat, apo edhe bonuset. Si çdo lojtar që pretendon të ngritet gjithmonë e më lartë, ashtu synoj edhe unë. Pretendimet e klubit për këtë sezon janë që të qëndrojë në një pozitë mesatare, që do të thotë vitin tjetër të pretendojmë të ngritemi në Ligën e Parë ndoshta”, u shpreh mbrojtësi i djathtë.

“Si çdo lojtar, pretendoj të ngritem sa më lartë, të shkoj edhe jashtë Kosovës. Tash janë ofruar kushtet më të mëdha. Kosova ka talente dhe gjeneratat që po vijnë kanë pretendime të mëdha”, vazhdoi 22 vjeçari.

“Si gjithmonë, infrastruktura është primare që duhet të përmirësohet”, përfundoi ai.

Edhe qendërmbrojtësi 24 vjeçar, Tomë Kolaj premton se do ta japë më të mirën për Dukagjinin në arritjen bashkërisht të objektivave. /Zëri/