Klubet i fërkojnë duart, llogarisin në milionat e UEFA-s

Sport March 19, 2018 - 14:32

Klubet e Kosovës shpresojnë t’ua shohin hairin shumave milionëshe të parave të ardhura nga projektet e UEFA-s për solidaritet dhe zhvillim. Atyre u është shtuar një çik shprese pasi presin nga Federata e Futbollit e Kosovës që t’ua ngjitë dorën në këtë kohë krize ekonomike kur skamja po i lodh shumë. Drejtuesit e klubeve besojnë se do të kenë hise në këto para. Ato i shohin të nevojshme investimet nga ana e FFK-së mbi të gjitha në infrastrukturë, e cila është në gjendje mizerje. Edhe njohësit e futbollit presin nga institucioni më i lartë i futbollit kosovar që do t’u dalë në krahë klubeve

Paratë e premtuara nga UEFA përmes projekteve të saj për federatat që i ka nën ombrellë të saj, duke përfshirë këtu edhe Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK), ua kanë dhënë një çik shprese klubeve të futbollit në Kosovë.

Drejtuesit e tyre kanë nisur t’i fërkojnë duart pasi presin që “bukë” do të ketë edhe për ta nga milionat që do t’i përfitojë shtëpia e futbollit kosovar tash dhe gjatë viteve në vazhdim, shkruan sot gazeta Zëri.

Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s pak ditë më parë e ka miratuar ciklin e ri të programit për solidaritet dhe zhvillim “HatTrick V”.

Shtëpia e futbollit evropian ka njoftuar se në periudhën 2020-2024 nga ky program 55 vendet anëtare të saj – duke përfshirë Kosovën – do të mundë t’i përfitojnë nga 14.1 milionë euro, përkatësisht nga 3.5 milionë euro në vit.

Pra, bëhet fjalë për një rritje prej 30 për qind në krahasim me fondin e këtij programi të periudhës 2016-2020, që është 11 milionë euro, respektivisht 2.7 milionë euro në vit.

Për këtë klubet besojnë se do të kenë hise në mesin e milionave që do t’i përfitojë institucioni më i lartë i futbollit kosovar.

Imeri: Kurrë më parë s’kanë pasur nevojë klubet për ndihmë

Gjendja e klubeve të futbollit në Kosovë është e mjerueshme.

Një pjesë e klubeve të Superligës qëndron keq në aspektin financiar dhe në atë infrastrukturor.

Por nëse zbresim pak më poshtë gjendja bëhet më alarmante. Klubet e Ligës së Parë e kanë prekur “podin” dhe mezi marrin frymë.

Ato kanë nevojë më së shumti që t’u ngjitet dora.

Vushtrria është njëra prej klubeve më të vjetra në Kosovë.

Ky klub vite më parë ishte shpallur kampion, por mungesa e qëndrueshmërisë, si në krejt klubet tjera, kishte bërë që vetëm pas një sezoni ky klub të binte në Ligën e Parë dhe nga ajo kohë më s’ka parë dritë.

Tash vushtrriasit po mundohen të rikthehen në Superligë, por gjatë rrugëtimit po përballen me probleme të ndryshme.

Kryetari i klubit Naser Imeri thotë se Bardhekaltrit kanë vështirësi prej më elementarëve.

Ata s’kanë as ku të ushtrojnë pasi fusha kryesore e stadiumit duhet të ruhet për ndeshje kampionale të ekipit të parë.

Ai e sheh më se të nevojshme ndihmën e FFK-së për klubet, sidomos ato të Ligës së Parë nga fondet e UEFA-s.

“Kurrë nuk ka qenë më e nevojshme që të investojë FFK-ja në futboll, sidomos në Ligën e Parë. Për shembull, klubi ynë është i themeluar në vitin 1922 dhe t’i shohësh kushtet aty, aq katastrofale janë sa të vjen gjynah prej atyre fëmijëve që ushtrojnë aty. Dihet që talentet e Kosovës kryesisht dalin nga klubi ynë dhe asnjë investim më i vogël nuk bëhet aty. Nuk kemi zhveshtore, nuk ka banjë, nuk kemi stadium ndihmës. Merre me mend po shkojmë në Mitrovicë dhe edhe atje po luajnë me ne, jo ka termin të lirë, jo nuk ka termin të lirë. Nuk po kemi ku të ushtrojmë”, thotë për “Zërin” kreu i klubit vushtrrias, i cili tregon vështirësitë me të cilat është përballur ky klub në ndeshjen e fundit me Ferizajn, ku i madh e i vogël është detyruar të ndihmojë në heqjen e borës, prej nga doli... lloçi, në vend të barit.

Sipas tij, derisa në këto kushte Vushtrria kur luan i mbledh 3 mijë shikues, po të ishin kushtet më të mira dhe hapësira në stadium me siguri se do të mblidheshin 5-6 mijë shikues.

“Infrastrukturën e kemi katastrofë, nuk po mund ta zhvillojmë futbollin pasi nuk kemi kushte. Asnjë stadium ndihmës nuk e kemi për fëmijë. Fushën kryesore duhet ta ruajmë për ndeshje, aty nuk mund të ushtrojë as ekipi i parë e lëre më të rinjtë. Duhet të bëhen investime për të rinjtë, për të ardhmen”, shton ai.

Musa: S’ka stadiume, s’ka fusha ndihmëse, s’ka asgjë!

Njëri prej klubeve që po përballet më së shumti me problemet e aspektit financiar është Vllaznia.

Verën e fundit krejt Pozherani u çua në këmbë kur ky klub e siguroi inkuadrimin në Superligë për herë të parë në histori.

Mirëpo, ky gëzim u vyshk shpejt pasi problemet për këtë klub nisën të dilnin në pah shumë shpejt.

Pozheranasit gjenden në pozitën e fundit në tabelë dhe lojtarët kryesorë u larguan gjatë janarit pasi klubi nuk kishte para për t’i paguar.

Shpend Musa, kryetar i klubit, shprehet se FFK-ja duhet ta derdhë një pjesë të parave që do ta marrë nga projektet e UEFA-s për t’i ndihmuar klubet në gjendje të mjerë, të cilat nuk po arrijnë t’i përballojnë shpenzimet.

“Federata duhet t’i subvencionojë klubet në aspektin financiar për ta ngritur nivelin edhe në infrastrukturë, por edhe të garave dhe të zhvillimit të futbollit. Nevojë kanë sidomos klubet e Ligës së Parë, por edhe ato të Superligës. Në Superligë ka shpenzime të mëdha, nevojitet organizim. Nëse FFK-ja i ka ato mjete, duhet t’i shpërndajë në mënyrë proporcionale në Superligë dhe Ligën e Parë”, mendon Musa.

“Në Kosovë thuajse nuk e ke asnjë stadium tamam. Fusha ndihmëse nuk ka, nevojiten zhveshtoret, kushte më të mira për stërvitje dhe për lojë. Ne nuk kemi stadium tonin dhe na duhet t’i zhvillojmë edhe ndeshjet si vendës në qytetet tjera”, nënvizoi ai.

Veliu: Qendra nacionale e trajnimit, e domosdoshme

Edhe njohësit e futbollit e kanë mirëpritur ndihmën që po ua bën UEFA anëtarëve të saj, më saktësisht Kosovës në këtë rast.

Analisti Fetah Veliu, njëkohësisht shkrues i librave të futbollit, si pikë kryesore nëpër të cilën duhet të fokusohet FFK-ja për të investuar me paratë që do t’i marrë nga UEFA e sheh ndërtimin e një qendre nacionale të trajnimit, e cila i mungon shumë vendit tonë.

Ai më pas i përmendi edhe nevojat tjera që ka futbolli kosovar, në të cilat duhet të fokusohet shtëpia e futbollit kosovar.

“Duhet të formohet një qendër shtetërore apo nacionale e trajnimit. Qendër ku do të shkolloheshin trajnerët, po ashtu edhe ku do të bëheshin seleksionimet dhe grumbullimet e përfaqësueseve të reja e gjithashtu edhe Përfaqësuesja A do të punonte aty”, propozon ai.

“Duhet të investohet edhe në stadiume. Duhet të ketë kushte edhe për gazetarë, që është mjaft e rëndësishme, si prioritet e shoh këtë pasi deri më tash nuk ka pasur kushte. Edhe për shikueshmëri, tribunat nuk janë shumë të mira. Duhen krijuar kushte për organizim të lojës. Duhet të ketë sa më shumë fusha të futbollit. Duhet të krijohet baza për të filluar dhe për të konkurruar në Evropë”, mendon Veliu.

Ndër të tjera, trajneri i klubit “Vigani” e shpreh edhe një shqetësim.

Ai ankohet se kategoritë e reja janë lënë anash nga të gjithë, prandaj thotë se do të ishte mirë të ndihmoheshin ato nga FFK-ja, që deri më tash nuk ka bërë asgjë në këtë drejtim, njëjtë siç nuk ka bërë as Komuna dhe askush tjetër.

Veliu shprehet se nuk po kërkon miliona, por të paktën me një pjesë e këtyre parave të ndahen në topa apo edhe në rekuizita sportive për shkollat e futbollit, siç ndodh në krejt botën.

Me këtë rast, shton ai, do të gëzoheshin më së shumti fëmijët, të cilët janë baza dhe pika ku nisin të zhvillohen lojtarët e mirë dhe të mëdhenj. /Zëri/