Idrizi i Kosovës, jo i Zvicrës!

Sport March 16, 2018 - 10:44

Pjesa dërrmuese e futbollistëve kosovarë që jetojnë në Perëndim prioritet e kanë t’i mbrojnë ngjyrat e vendit ku janë lindur e ku janë rritur. Shumë nga ta Kosovën e kanë pasur apo edhe vazhdojnë ta konsiderojnë si opsion të dytë apo të tretë. Mirëpo, Idriz Voca është bërë shembull. Ishte vetë Zvicra që e ftoi, por kosovari e refuzoi pasi ishte i vendosur të luajë për Kosovën. Mesfushori 20-vjeçar i Luzernit ua ka bërë të qartë zviceranëve se Kosova ishte zgjedhja e zemrës së tij, shkruan sot, gazeta "Zëri".

Futbollistët e rinj që jetojnë në Perëndim e kanë një qëllim jetësor – ta përfaqësojnë vendin ku janë lindur dhe ku janë rritur. Dhe në rast se ajo përfaqësuese nuk i fton, e zgjedhin Kosovën ose Shqipërinë si alternativë të dytë.

Mirëpo, kjo nuk ndodh gjithmonë. Idriz Voca është një rast i rrallë që e refuzoi një përfaqësuese, të cilën shumë futbollistë e kishin dhe e kanë ëndërr – Zvicrën.

20-vjeçari së fundmi ka marrë ftesë nga ekipi helvetik, por i tha “Jo” atij, pasi është i vendosur të luajë për vendin e prindërve të tij.

Zviceranëve u ka mbetur merak futbollisti i Luzernit, por janë dorëzuar përfundimisht. “Nën drejtimin e Gerry Seoane, Idriz Voca do ta luajë një rol të rëndësishëm në Luzern. Shpejt ai do t’i demonstrojë aftësitë edhe në ekipin kombëtar. Por, jo për Zvicrën”, shkruan “blickamabend.ch”.

Ëndrra e bërë realitet

Refuzimi i ftesës së zviceranëve do ta shpërblejë goxha mirë Vocën. Ai deri tash ishte pjesë e ekipit U-21 të Kosovës, por trajneri i ri i Verdhekaltërve Bernard Challendes ka vendosur ta ftojë në Përfaqësuesen A për dy ndeshjet miqësore të marsit, ndaj Madagaskarit dhe Burkina Fasos.

Futbollisti ndihet mjaft i lumtur për këtë fakt. Ai e kishte pritur këtë ditë qe një kohë.

“Unë dua të luaj për vendin tim. Kjo është një çështje dhe një zgjedhje e zemrës. Është një ëndërr që po bëhet realitet”, ka thënë 20-vjeçari, babai i të cilit është nga Kosova, ndërsa nëna nga Bosnjë e Hercegovina.

Sipas medieve zvicerane, një prej arsyeve që e shtyu futbollistin ta zgjedhë Kosovën para Zvicrës ishte edhe konkurrenca e fortë që ekziston te kjo e fundit. “Mundësia për të dominuar dhe për të mbizotëruar në Kosovë është më e madhe. Në Zvicër ka mjaft lojtarë të rinj dhe të talentuar, të cilët duhet të mbështeten dhe të përkrahen”, vazhdoi ai.

E mbështet trajneri Challandes

Zgjedhjen e tij e ka mbështetur edhe trajneri Challandes. “Është lojtari ai që vendos dhe është e qartë se lojtari e zgjedh vendin që e vlerëson më shumë, karrierën e tij dhe që i përshtatet më shumë”, ka thënë 66-vjeçari.

E refuzoi edhe Shqipërinë, mori kritika!

Voca ishte ftuar në ekipin e të rinjve të Shqipërisë, por ai nuk qëndroi gjatë atje. Pasi e zgjodhi Kosovën mediet shqiptare e kritikuan futbollistin. Megjithatë, ai është mjaft “i ftohtë” në këtë drejtim. “Unë isha në një qendër stërvitore me ekipin kombëtar të Shqipërisë, asgjë më shumë. Unë jam shqiptar i Kosovës. Nuk jam veç shqiptar. Kjo është arsyeja se përse ishte e qartë për mua se kë ta zgjidhja”, përfundoi Voca, i cili ka qenë mbresëlënës në ndeshjet e fundit të ekipit U-21 të Kosovës.

Titullari i Luzernit

Që nga janari, kur Gerry Seoane u emërua trajner i Luzernit, Voca është bërë titullar në ekipin zviceran. Idrizi, i cili jeton në Luzern me prindërit, nuk ka munguar në asnjë ndeshje dhe dita-ditës po bëhet lojtar mjaft i rëndësishëm për ekipin zviceran. Ai tregon se kur ishte 15 vjeç kishte menduar ta linte futbollin pasi kishte shumë lëndime. Mirëpo, Vocën e kishte bindur për të vazhduar në atë kohë trajneri i Luzernit U-15, Gerry Seoane, pikërisht trajneri që po e ngrit tash në këtë ekip./Zëri