E zbulon Benevento, Panucci ftesë Gjimshitit, por jo për Memushajn

Sport March 15, 2018 - 16:25

Ledian Memushaj do të mungojë në grumbullimin e Kombëtares për ndeshjen miqësore me Norvegjinë, në program në 26 mars në Elbasan Arena.

Lajmi bëhet i ditur nga faqja zyrtare e Beneventos, klubit ku luan mesfushori vlonjat. Skuadra italiane bën të ditur se nga radhët e saj janë Berat Gjimshiti dhe rumuni, Alin Dorinel Tosca, futbollistët që do të grumbullohen nga kombëtaret respektive për fundin e marsit, duke mos përmendur emrin e Memushajt, çka konfirmon mungesën e një ftese nga Christian Panucci në drejtim të mesfushorit 31-vjeçar.

Memushaj nuk figuron i dëmtuar, pasi nga mediat italiane jepet në formacionin e mundshëm të Beneventos për sfidën e 18 marsit me Cagliarin, por një arsye që mund të ketë ndikuar në vendimin e trajnerit të Kombëtares, mund të jetë aktivizimi i paktë i Memushajt te Benevento, ku ka humbur statusin e titullarit nga trajneri De Zerbi.

Memushaj u la në stol pa u aktivizuar për asnjë minutë në takimin e fundit me Fiorentinën, ndërkohë që nuk aktivizohet me skuadrën italiane që nga ndeshja e 4 shkurtit të kaluar me Napolin. 

Për sa i përket Berat Gjimshitit, titullar fiks te Benevento, klubi italian bën të ditur se do të bashkohet me Kombëtaren Shqiptare mëngjesin e së hënës, për t’u vënë ën dispozicion të Panuccit për miqësoren e 26 Marsit.