S’ka si Majlinda Kelmendi e Herolind Nishevci!

Sport March 14, 2018 - 21:07
Dy më të mirët e sportit kosovar

Majlinda Kelmendi dhe Herolind Nishevci janë më të mirët e sportit kosovar për vitin 2017, raporton "Zeri.info".

Këtë përzgjedhje të xhudistes dhe të karateistit e ka bërë institucioni më i lartë sportiv në vend - Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK), i cili sonte e mbajti ceremoninë e shpalljes së laureatëve të vitit që e kemi lënë pas. 

Medalja e artë që e ka fituar në Kampionatin Evropian të Xhudos ka bërë që Majlinda Kelmendi të shpallet më e mira në Kosovë në konkurrencën e femrave.

Kurse vendi i pestë në Kampionatin Evropian të Karatesë ka bërë që Herolind Nishevci të bëhet “mbret” i konkurrencës së meshkujve, raporton "Zëri.info".

Majlinda dhe Herolindi ishin shpallur më të mirët në Kosovë edhe për vitin 2016. Këto çmime për Majlindën dhe për Herolindin nënkuptojnë motiv shtesë në rrugëtimin e tyre drejt olimpiadës së radhës “Kina 2020”.

Në ceremoninë e shpalljes së laureatëve të vitit 2017 kanë dominuar sportistët nga xhudoja. Andaj, më meritori në sukseset e mëdha të këtij sporti pa dyshim që është Driton Kuka, i cili për të dytin vit radhazi e fiton epitetin e trajnerit më të mirë në vendin tonë.

Kuka është një meritor i madh në medaljen e artë të Majlinda Kelmendit në Kampionatin Evropian dhe në medaljen e bronztë të Nora Gjakovës po në të njëjtën garë. Për këtë sukses, por edhe për medaljen e artë në “Grand Prix” të Hagës xhudistja Nora Gjakova është vlerësuar me “Çmimin Special”.

Sa u përket sporteve ekipore, "Zëri" shkruan se Përfaqësuesja e Kosovës në basketboll në konkurrencën e meshkujve është shpallur më e mira e vitit 2017. Kjo falë kualifikimit të “Dardanëve” nga parakualifikimet në kualifikimet për botërorin “Kina 2019”, në të cilat po garon tani.

Kurse te femrat i njëjti çmim shkoi për Përfaqësuesen e Kosovës në hendboll, e cila e kishte kaluar grupin parakualifikues, duke u renditur në vendin e parë.

Ndërkohë KOK-u i ka shpallur edhe tri shpresat më të mëdha olimpike të vitit 2017. Ata janë Shpat Zeka dhe Loriana Fazliu nga xhudoja dhe Donjeta Sadiku nga boksi. /Zëri/