Superliga bie në duart e trajnerëve nga Shqipëria

Sport March 13, 2018 - 14:21
Ja nga sa pikë kanë skuadrat e udhëhequra nga trajnerët e Shqipërisë

“Trajnerë të Kosovës që jeni të papunë, rrini të gatshëm se shumë shpejt do të lirohen pozitat për ju, sepse ju jeni më të mirë. Ata që iu vërsulën Superligës shumë shpejt do të rikthehen përmes autobanit!”.

Kështu pati deklaruar Tahir Batatina menjëherë pasi skuadra e tij, Llapi, e kishte eliminuar nga Kupa e Kosovës Trepçën ’89 të trajnerit nga Shqipëria, Gugash Magani, shkruan "Zëri".

Me atë ndeshje edhe ishte hapur sezoni pranveror në futbollin kosovar për të filluar pastaj me pjesën e dytë të kampionatit, të cilin Llapi e kishte nisur nga pozita e parë. Batatina ndihej i sigurt se ekipi i tij do ta ruajë vendin e parë në kampionat deri në fund dhe besonte se do ta fitojë edhe Kupën.

LEXO EDHE: Po ndahet shapi prej sheqerit

Mirëpo, trajneri llapjan ka rezultuar krejtësisht i pasaktë në parashikimin e tij. Kjo pasi skuadra e tij i humbi pesë ndeshjet e tjera pasuese – katër në kuadër të kampionatit dhe një në kuadër të Kupës, prej së cilës edhe u eliminua.

Tri nga këto ndeshje ia shkaktuan pikërisht trajnerët nga Shqipëria. Mirel Josa me Prishtinën e mposhti në ndeshjen e parë kampionale të pranverës dhe pas pak ditësh i njëjti trajner me ekipin bardhekaltër e eliminoi edhe nga Kupa.

Ndërsa të dielën Llapi i Batatinës u mposht sërish në shtëpi nga Liria e Bledi Shkëmbit, duke rënë në pozitën e gjashtë. Sot Josa me Prishtinën e kryesojnë Superligën me 42 pikë, me tetë pikë më shumë sesa Llapi. Kurse Shkëmbi i Lirisë është e treta në tabelë me 37 pikë. Këta dy trajnerë nga Shqipëria aktualisht e kanë veç një trajner kosovar konkurrent për titull.

Fjala është për Bekim Isufin, i cili me Dritën e tij e zë vendin e dytë me katër pikë më pak sesa Prishtina e Josës dhe vetëm një pikë më tepër sesa Liria e Shkëmbit.

Gjithsesi, deri në fund të kampionatit duhet të zhvillohen edhe 11 xhiro. Kështu që Gjilani i Arbnor Morinës, Feronikeli i Ismet Munishit, Llapi i Tahir Batatinës, Trepça ’89 e Gugash Maganit dhe Drenica e Sadat Pajazitit matematikisht ende janë në garë për vendin e parë.

Por, sipas renditjes aktuale ekipet e tyre tash për tash janë më afër pozitës së barazhit sesa vendit të parë. Pozitën e nëntë, përkatësisht të barazhit, aktualisht e mban Vëllaznimi me 30 pikë.

Gjilani është i katërti në Superligë me veç pesë pikë më shumë sesa Vëllaznimi dhe ka shtatë pikë më pak sesa kryesuesja nga kryeqyteti. Kurse ekipi i pestë, Feronikeli, i ka katër pikë më shumë se Vëllaznimi, por i ka tetë pikë më pak sesa Prishtina.

Njëjtë sikurse “Nikli” i kanë punët edhe Llapi dhe Trepça ’89. /ZËRI/