Taulant Xhaka: Ëndërroj të luaj sërish me vëllain tim, Graniti po kalon një fazë të vështirë te Arsenali

Sport March 06, 2018 - 16:21

Taulant Xhaka ka folu në një intervistë në 360 gradë për “Goal.com”, mbi shumë çështje që lidhen me të. Numri 14 i Kombëtares tonë ka folur për marrëdhënien e veçantë që ka me të vëllain e tij, Granitin, i cili luan me Arsenalin.

“Unë dëgjohem me Granitin katër herë në javë. Ne flasim për gjëra të përgjithshme, jo vetëm për futbollin. E bëj këtë edhe për shkak se është në një fazë të vështirë me Arsenalin. Ne shkëmbejmë këshilla, si dhe kritika për të përmirësuar veten. Ai më ndihmon dhe unë e ndihmoj. Ne jemi lojtarë të ndryshëm. Graniti është teknikisht më i fortë se unë, por trajnerët duhet të gjykojnë pjesën tjetër. Nuk është kaq e lehtë për t’i parë lojërat e Granitit, sepse shpesh luaj edhe të shtunën. Kur kam kohë, përpiqem të shikoj çdo lojë, ku luan Graniti”.

Ai shprehet se ka shumë dëshirë që një ditë të luajë përsëri së bashku me Granitin në një ekip, siç luanin para disa vitesh me Bazelin, transmeton Panorama Sport.

“Ëndrra ime është të luaj sërish me vëllain tim. Nëse jo tek Arsenali, atëherë ndoshta te Baseli, kur të kthehet në Zvicër. Por, nëse kjo ndodh tek Arsenali, ose Baseli, nuk ka rëndësi. Unë besoj se ai dëshiron të kthehet në Basel në fund të karrierës së tij, sepse u rrit këtu. Baseli është ekipi i tij i preferuar. Kur ka dy ditë pushimi, ai vjen në Basel dhe viziton miqtë dhe familjen e tij. Ekziston një lidhje shumë e fortë”, ka thënë Taulant Xhaka.