'Made in Kosova'

Sport March 06, 2018 - 13:36

Sigal Prishtina e ka regjistruar suksesin e radhës në basketbollin kosovar. shkruan sot gazeta Zëri.

Por, për dallim nga herët e kaluara trofeu i Kupës së Kosovës, të cilin e fituan Bardhekaltrit të dielën mbrëma, ishte më speciali për faktin se prishtinasit triumfuan me komplet ekipin që përbëhej nga lojtarët vendorë, ndërsa kundërshtarë e kishin Bashkimin, i cili në radhët e tij kishte lojtarë të huaj, por edhe trajner të huaj.

Prishtinasit po ashtu e nisën sezonin me disa lojtarë të huaj dhe me trajner të huaj, por pas eliminimit nga garat evropiane ata i liruan të huajt dhe u fokusuan te vendorët dhe te të rinjtë kryeqytetas

Rashica, trajneri i historisë

Arben Krasniqi konsiderohet si trajneri më i suksesshëm vendor pasi për disa vite me Prishtinën e dominoi basketbollin kosovar, duke i mposhtur trajnerët e njohur që vinin nga vendet e ndryshme të botës.

Tash rrugën e tij po e ndjek Andin Rashica, i cili së fundmi e fitoi trofeun e parë si kryetrajner i prishtinasve.

Ai u bë trajneri më i ri në histori të basketbollit kosovar, duke e fituar Kupën e Kosovës vetëm në moshën 27-vjeçare.

Pa dyshim ai ndihet mirë për këtë fakt, ndërkohë që i ka falënderuar lojtarët e tij për atë që po e japin në parket dhe kryesinë për besimin e dhënë.

“Nuk ka qenë e lehtë aspak për arsye se kur janë krejt lojtarët vendorë normalisht se ke panik pak në atë kuptimin që çdoherë ekipet janë përforcuar dhe na kanë nënçmuar paksa. Duke iu falënderuar lojtarëve e kryesisë për besimin jemi munduar të qëndrojmë unikë, pavarësisht problemeve të cilat i kemi mënjanuar. Kemi pasur durim, kemi besuar te njëri-tjetri, çka ka ndodhur në stërvitje e kemi harruar dhe angazhimi nuk ka munguar asnjëherë. Është një sukses i madh për klubin dhe për basketbollin e Kosovës, me këta lojtarë kemi arritur të bëjmë diçka”, theksoi fillimisht Rashica për “Zërin”.

Ai ishte pjesë e Prishtinës nga viti 2000 deri në 2013-ën fillimisht si lojtar i gjeneratave të reja e më pas si ndihmëstrajner.

Dy vjet ka luajtur në klubin Dardania te trajneri Blerim Krasniqi në ekipin senior, por më pas i është kthyer zejes së trajnellëkut.

Ka punuar si ndihmëstrajner edhe në klubin e basketbollit 21, ndërsa si 23-vjeçar disa muaj ishte emëruar trajneri i parë i këtij ekipit kryeqytetas.

Një kohë ka punuar edhe si gazetar, ndërsa më pas u rikthye tek Prishtina si asistenttrajner.

Rashica i falënderon të gjithë trajnerët me të cilët ka punuar e prej të cilëve thotë se ka mësuar shumë pa dashur ta veçojë ndonjërin prej tyre.

Madje edhe ditëve të fundit është konsultuar me trajnerët e huaj, nga të cilët ka marrë instruksione për duelet e prishtinasve në Kupën e Kosovës.

Ai nuk e ka problem edhe në të ardhmen të punojë si ndihmëstrajner, pasi thotë se në të dyja pozitat mundohet ta japë maksimumin e tij dhe t’i kryejë me përpikëri përgjegjësitë që i merr. /Zëri/