A jeni gati? Sonte luhet finalja e Kupës së Kosovës!

Sport March 04, 2018 - 17:24

Të dielën në palestrën “13 Qershori” në Suharekë do të zhvillohen dy ndeshjet finale të Kupës së Kosovës në të dyja konkurrencat.

Duke filluar nga ora 16:00 ka filluar finalja e femrave, ku do të ballafaqohen Pro Bet Prishtina – Penza, kurse me fillim nga ora 19:00 në finalen e meshkujve do të përballen Sigal Prishtina – Bashkimi.

Të dyja këto takime do të mund t’i ndiqni drejtpërdrejtë në SuperSport Kosova.

Fitues të Kupës së Kosovës për edicionin e kaluar janë Sigal Prishtina te meshkujt dhe Pro Bet Prishtina te femrat.

Sigal Prishtina 12 herë e kanë fituar këtë trofe prej vitit 1991 e deri më 2017, kurse Bashkimi vetëm 1 herë.

Pro Bet Prishtina (ish-Universiteti) 9 herë është stolisur me Kupën e Kosovës, kurse Penza 6 herë e ka fituar këtë trofe.

Këtë edicion për herë të parë është zhvilluar Final 8 i Kupës së Kosovës me këtë format, duke filluar nga dita e mërkurë 28 shkurt e deri të dielën 4 mars në palestrën “13 Qershori” në Suharekë.  Final 8 më parë është organizuar në Gjakovë më 2014, por jo në këtë format.

Në kuadër të Final 8 të Kupës së Kosovës në Suharekë është organizuar edhe Klinika për Gjyqtarët Kandidatë Potencial (Nacional) për thirrje të FIBA-s. Klinika është organizuar prej 28 shkurt deri më 2 mars në hotel “Solid” në Suharekë, kurse është udhëhequr nga drejtori i Departamentit të Gjyqtarëve në FIBA Evropë, Davorin Nakiç (Kroaci), ndërsa ligjërues ishin instruktorët e FIBA-s, Gjorgji Piperkov (Maqedoni) dhe Faton Kurshumlija (Kosovë). Pjesëmarrës të Klinikës kanë qenë 9 gjyqtarë potencialë, 4 nga Kosova dhe 5 të tjerë nga shtetet si, Greqia, Mali i Zi dhe Maqedonia. Pikërisht gjyqtarët e kësaj Klinike kanë qenë ata që e kanë ndarë drejtësinë në ndeshjet e Final 8 të Kupës së Kosovës, duke përjashtuar finalet e së dielës në të dyja konkurrencat, të cilat do të drejtohen nga gjyqtarët vendor.

Organizatore e Final 8 të Kupës së Kosovës është skuadra e Golden Eagle Yllit nga Suhareka. 

Duhet theksuar se po ashtu në kuadër të Final 8 të Kupës së Kosovës, Federata e Basketbollit të Kosovës të shtunën, më 3 mars e ka organizuar Kuvendin e Punës, ku delegatët e pranishëm i kanë miratuar pas asnjë vërejtje të gjitha pikat e rendit të ditës.