Drita kërkon ta ruajë kreun

Sport March 02, 2018 - 12:14
Drita do të mundohet ta ruajë kreun e tabelës me një fitore ndaj Vëllaznimit sot në Gjilan në ndeshjen hapëse të xhiros së 21-të të Superligës së futbollit. Nga ana tjetër, gjakovarët kanë nevojë për pikë për t’i ikur zonës së barazhit. Dueli tjetër interesant i ditës së sotme është ai në mes Lirisë e Feronikelit

Superliga e futbollit kthehet me ndeshjen e xhiros së 21-të, e cila do të zhvillohet në tri ditët në vazhdim. Bora që ra gjatë mesjavës në Kosovë e ka përkeqësuar gjendjen e fushave në stadiumet e Kosovës, por klubet janë përkujdesur ta largojnë borën, me mundësitë e tyre, në mënyrë që të jetë gjithçka në rregull para fillimit të ndeshjeve. Dy duele do të zhvillohen sot, dy të shtunën dhe dy të dielën, shkruan sot, gazeta "Zëri".

Vëllaznimi sfidon lideren

Xhiroja e 21-të do të nisë sot me dy ndeshje. Pas Trepçës ’89 e Prishtinës, Vëllaznimin e pret një tjetër përballje e vështirë. Kuqezinjtë do ta sfidojnë në Gjilan lideren e re të Superligës Dritën, e cila do të mundohet t’i mbajë pikët në shtëpi për ta ruajtur pozitën e liderit e që e fitoi fundjavën që shkoi pas fitores së regjistruar ndaj Llapit në udhëtim dhe falë barazimit të Prishtinës në Gjakovë. Edhe dueli tjetër i së premtes ndërmjet Lirisë dhe Feronikelit pritet të jetë mjaft interesant. Prizrenasit kërkojnë fitore në “Përparim Thaçi” për ta harruar humbjen në minutat shtesë nga Gjilani, kurse “Nikli” s’ka vend për gabime nëse dëshiron ta ndjekë titullin e kampionit.

Prishtina përballet me kampionin

Pa dyshim ndeshja kryesore e kësaj jave është ajo në mes Prishtinës dhe Besës. Ky takim do të zhvillohet të shtunën në Pejë, ku ka vendosur t’i zhvillojnë Bardhekaltrit ndeshjet si vendës në pjesën e dytë të kampionatit. Kryeqytetasit e nisën me fitore stinorin pranveror ndaj Llapit e të cilit ia rrëmbyen kreun, ndërsa më pas barazuan në Gjakovë me Vëllaznimin dhe tash e ndajnë pozitën e parë me liderin, Drita. Për këtë ekipi i Mirel Josës do të mundohet ta fitojë gjithsesi ndeshjen me kampionin në mënyrë që të mbetet në hap për titull të kampionit. Nga ana tjetër, “Xehetarët” nuk e kaluan një vjeshtë të mirë dhe po mundohen t’i rikuperojnë pikët e humbura për ta synuar edhe këtë edicion titullin e kampionit dhe daljen në Evropë. Ishin pikërisht këto dy ekipe që e thyen akullin vitin e kaluar, duke luajtur në Champions dhe në Europa League.

Të dielën dy ndeshjet e fundit

Të dielën luhen edhe dy ndeshjet e fundit të kësaj xhiroje. Vllaznia, tashmë e dorëzuar, do të luajë me Besën, e cila shihet si favorite dhe i duhen pikët si “buka” për ta shmangur rënien nga Superliga. Kurse në duelin tjetër Gjilani, që po befason për të mirë, e viziton Drenicën në kërkim të rezultatit tjetër pozitiv. Megjithatë, Kuqezinjtë nuk e nisën mirë stinorin pranveror dhe e shohin këtë si një rast të mirë për t’i fituar tri pikët e para./Zëri

Superliga – Java e 21-të

 

E premte

Drita – Vëllaznimi

Liria – Feronikeli

E shtunë

Flamurtari – Llapi

Prishtina – Trepça ’89

E diel

Vllaznia – Besa

Drenica – Gjilani

Të gjitha ndeshjet fillojnë në orën 13:00