Arsenalit i mungon vetëbesimi

Sport March 02, 2018 - 10:25

Trajneri i Arsenalit, Arsene Wenger thotë se lojtarëve të tij iu mungoi vetëbesimi në ndeshjen e humbur nga Manchester City 3:0 në kuadër të ligës angleze të enjten, transmeton zeri.info

Klubi londinez u mposht për herë të dytë nga Manchester City brenda pesë ditësh dhe Wenger shprehet se morali i lojtarëve është i ulët pas këtyre dy humbjeve me rezultatin e njëjtë 3:0.

“S’kemi çfarë të flasim shumë, ishte një ndeshje me një skuadër të madhe dhe me vetëbesim, neve na mungoi kjo gjë”, deklaroi Wenger.

“Pjesa e parë ishte e vështirë për ne pas asaj që ndodhi të dielën. Por, ata përfituan nga mungesa e vetëbesimit tonë dhe më duhet ta them që skuadra jonë bëri një përpjekje të madhe fizike dhe teknike gjithashtu. Ne jemi duke kaluar nëpër një periudhë të vështirë, kualiteti i tyre na vështirësoi punën”, shtoi strategu francez, i cili është në krye të Arsenalit që prej vitit 1996.