Gjithçka gati për Kupën e Kosovës, ja çiftet dhe orari!

Sport February 27, 2018 - 15:45

Gjithçka është gati për Kupën e Kosovës në basketboll, shkruan zeri.info.

Kështu kanë deklaruar të martën në konferencën për media të organizuar në zyre të Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), organizatori i këtij eventi, KB Golden Eagle Ylli dhe FBK-ja.

Duhet theksuar se Kupa e Kosovës për herë të parë do të organizohet me këtë format, pra “Final 8”, duke filluar nga dita e sotme (28 shkurt) e deri të dielën e 4 marsit në palestrën “13 Qershori” në Suharekë.

“Final 8” më parë është organizuar në Gjakovë më 2014, por jo në këtë format.

Golden Eagle Ylli në vitin 2015 ka qenë organizator i “Final Four” të Kupës së Kosovës. Të mërkurën në program janë dy ndeshje çerekfinale, Rahoveci – Kerasan Prishtina (17:15) dhe Golden Eagle Ylli – Borea (20:00), ndërsa të enjten dy të tjera, Sigal Prishtina – Kalaja (17:30) dhe Bashkimi – Trepça (19:45).

Ndërkaq gjysmëfinalet do të luhen të premten, e para prej orës 17:30 dhe e dyta prej orës 19:00, si dhe finalet në të dyja konkurrencat të dielën prej orës 16:00 (femrat) dhe 19:00 (meshkujt).

Ceremonia e hapjes solemne e kësaj ngjarjeje madhështore për basketbollin kosovar do të bëhet të mërkurën ndërmjet dy ndeshjeve çerekfinale, pra në orën 19:15. /Zëri/