Feronikeli rikthehet te fitoret, mposhtë minimalisht Flamurtarin

Sport February 24, 2018 - 16:03

Feronikeli ka fituar me shumë vështirësi 1-0 ndaj Flamurtarit. Ndeshja nisi mirë për vendasit të cilët qysh në fillim të saj rrezikuan portën e mysafirëve.

Nuk vonoi shumë dhe erdhi goli i epërsisë për skuadrën e Ismet Munishit. Ishte mesfushori qendror, Albert Dabiqaj i cili kaloi ‘Tigrat’ në epërsi në minutën e 17-të.

Deri në fund të pjesës së parë dy skuadrat kishin disa gjysmë raste por që portat më mbetën të pa prekura. Me epërsinë minimale të vendasve 1-0 përfunduan 45 minutat e para të kësaj sfide.

Mysafirët e nisën me gol pjesën e dytë kur realizoi Alban Shillova por që u anulua me pretekst për pozitë jashtë loje. Feronikeli vazhdoi të sulmoi portën e mysafirëve edhe në pjesën e dytë. Granit Arifaj kishte rast të mirë pasi kaloi një orë lojë të shënonte por goditja e tij u ndal nga shtylla.

Disa minuta më vonë sulmuesi afrikan Kone tentoi nga goditja e dënimit por jashtë portës.

Deri në fund të ndeshjes përkundër përpjekjeve nga të dyja skuadrat gola më nuk pati. E me këtë fitore Feronikeli është ngritur në pozitën e pestë në tabelë me 31 pikë të tubuara. Ndërkohë Flamurtari mbetet në pozitë të palakmueshme pasi është e 11-ta me 11 pikë.

Në ndeshjen e ardhshme Feronikeli do të ketë një udhëtim të vështirë pasi përballet me Lirinë në Prizren.

Ndërkohë Flamurtari do të pres kampionin vjeshtor të Kosovës, Llapin në kryeqytet.