Derbi, Vëllaznim- Prishtinë, pa fitues

Sport February 24, 2018 - 15:39

Vëllaznimi dhe Prishtina kanë ndarë pikët në derbin që u zhvillua në Gjakovë, duke barazuar 0-0. Në anën tjetër, fitore në xhiron e 20 të Superligës së Kosovës ka arritur Trepça ‘89, që e mposhti 1-0 Besën e Pejës.

Është mbyllur pa fitues derbi mes Vëllaznimit dhe Prishtinës, e vlefshme për xhiron e 20 të Superligës së Kosovës. Ndeshja e zhvilluar në Gjakovë përfundoi pa gola, pavarësisht rasteve nga të dyja anët përgjatë 90 minutave, raporton Gazeta Express.

Atmosfera ishte fantastike, sfidë në të cilën ish-kapiteni i Kombëtares shqiptare, Lorik Cana, babai i të cilit ka blerë klubin nga Gjakova, e nisi topin nga mesi i fushës.

Këtë gabim të Prishtinës e ka shfrytëzuar Trepça ’89 për t’iu afruar në 3 pikë në renditje, që e mposhti 1-0 në udhëtim Besën e Pejës. Golin e tri pikëve për mysafirët e realizoi futbollisti i vendasve, Florent Papuqi, ai gjeti portën e gabuar.

Fitore ka arritur edhe Feronikeli, që e mposhti 1-0 Flamurtarin me golin e Albert Dabiqajt në minutën e 17’të.

Ky dështim i Prishtinës i jep mundësinë Llapit që të rrëmbejë të dielën pozitën e parë, gjithmonë nëse arrin fitore kundër Dritës.