Fytyra tjetër e Kosovës me probleme

Sport February 24, 2018 - 12:53

Albin Tahiri tashmë i ka përfunduar sfidat në Lojërat Olimpike Dimërore që po mbahen në PyeongChang të Koresë Jugore.

Skitari kosovar nuk kishte ambicie më të mëdha përveç kalimit të shtegut dhe në këtë aspekt ka rezultuar i suksesshëm për shkak se nuk është eliminuar në gara ani pse i ka përfunduar ndër të fundit, shkruan sot Gazeta Zëri.

Megjithëkëtë, 29-vjeçari ishte mjaft tërheqës për mediet botërore pasi në Olimpiadën Dimërore e përfaqësoi një shtet të ri e të vogël që përballet me shumë telashe – Kosovën. Me reprezentuesin kosovar së fundmi është marrë gjiganti botëror CNN, i cili ka raportuar se Tahiri është sportisti i vetëm i Kosovës në “PyeongChang 2018”. Ndër të tjera CNN-ja ka theksuar se Tahiri e përfaqëson Kosovën, ku papunësia e të rinjve është në shkallë të lartë ndërsa korrupsioni është tejet evident. CNN-ja i ka kujtuar edhe problemet politike të Kosovës, posaçërisht ato me Serbinë nga e cila vendi ynë e ka shpallur pavarësinë e saj në shkurt të vitit 2008 e që ende nuk është njohur nga qeveria e Beogradit.

Pavarësisht këtyre problemeve, CNN-ja thotë se Tahiri e ka kënaqur popullin e tij me pjesëmarrje në Olimpiadën Dimërore. “Ata janë shumë të interesuar për mua, po më thërrasin vazhdimisht, më shkruajnë shumë gazetarë. Sapo kam arritur i lodhur nga qendra e ushtrimeve dhe duhet të pushoj, por kam intervista.

Edhe nëse nuk ju pëlqen duhet ta bëni. Më pëlqen që e kanë marrë kaq seriozisht dhe janë krenarë”, ka thënë Tahiri në bisedë me CNN-në. Tahiri ka lindur në Slloveni, shtet të cilin e përfaqësonte më herët, por që ishte tërhequr prej tij për ta përfaqësuar vendin e origjinës, Kosovën. Me profesion është dentist, gjë që ka rezultuar si diçka interesante për opinionin ndërkombëtar. Por, edhe në skitari u tregua mjaft profesionist pasi ka arritur t’i mbyllë të gjitha garat. Renditja nuk kishte shumë rëndësi. Andaj Tahiri beson se do të pritet mirë në Kosovë pasi të kthehet nga Koreja Jugore, ku të dielën mbahet ceremonia mbyllëse e Olimpiadës.

“Ishte festë e madhe kur xhudistja Majlinda Kelmendi fitoi medaljen e artë, të parën olimpike për Kosovën në ‘Rio 2016’. Unë nuk do të kthehem me medalje, por mendoj se do të ketë festë të madhe dhe pritje të ngrohtë”, ka thënë ai.