Pa tifozë drejt titullit

Sport February 24, 2018 - 11:18

Viteve të fundit Trepça ’89 është bërë njëra prej skuadrave më të rëndësishme në Superligën e Kosovës në futboll. 

Një kandidate e vazhdueshme për titull të kampionit, trofe të cilin edhe e fitoi në edicionin e kaluar. 

Të njëjtin trofe po e kërkon edhe sivjet. Mirëpo ’89-shi nuk po ndihmohet prej lojtarit të 12-të, tifozerisë. Trepça ’89 është skuadra e vetme elitare që nuk gëzon përkrahje të tifozëve.

 Në fakt, ekipi mitrovicas arrin të mbledhë numër të mirë të shikuesve por i mungon një grup i organizuar i tifozëve. Ka kaluar një kohë e gjatë prejse ’89-shi është “divorcuar” me “Torcidat”. Këta të fundit po i mungojnë edhe në sezonin pranveror të porsafilluar. 

Të dielën e kaluar ’89-shi luajti në shtëpi ndaj Vëllaznimit. 

Nuk pati fare mbështetje të tifozëve, kurse ekipi gjakovar i kishte dy grupe të ndryshme tifozësh në tribuna. 

Edhe pse ka dështuar në tentativën për ta krijuar një grup tifozësh, Trepça ’89 e vetmuar po e ndjek rrugën drejt mbrojtjes së titullit.