Derbi i moçëm

Sport February 24, 2018 - 09:57

Vëllaznimi dhe Prishtina prodhojnë derbi sa herë takohen në mes vete. Stadiumi i qytetit në Gjakovë pritet të jetë i stërmbushur të shtunën në pritje të klubit më të madh kosovar. Edhe pse Kuqezinjtë dhe Bardhekaltrit luftojnë për objektiva të kundërta ky fakt nuk e zbeh aspak rëndësinë e kësaj ndeshjeje. Kurse, të dielën zhvillohet një tjetër ndeshje derbi, ajo në mes të Llapit dhe Dritës, skuadra pretenduese për titull. Interesante pritet të jenë edhe duelet tjera të xhiros së 20-të

Vëllaznimi dhe Prishtina historikisht konsiderohen dy prej klubeve më të mëdha kosovare. Sa herë takohen këto dy ekipe vëmendja e të gjithëve shkon pikërisht aty dhe i tillë pritet të jetë interesimi i futbolldashësve edhe në përballjen e tyre të radhës, që do të zhvillohet të shtunën.

Derbi i moçëm do t’i ballafaqojë këto dy skuadra këtë fundjavë në Gjakovë. Edhe pse objektivat e tyre janë të kundërta – gjakovarët synojnë mbijetesën e prishtinasve titullin e kampionit, ky fakt nuk e zbeh aspak rëndësinë e kësaj ndeshjeje.

Kuqezinjtë janë riorganizuar pasi i mori në dorë Agim Cana dhe janë përforcuar dukshëm gjatë janarit. Ata e detyruan kampionin Trepça ’89 të djersitej fort për t’i mposhtur me rezultat minimal, 1:0 fundjavën që shkoi, duke treguar se në pranverë do të jenë “arrë e fortë” për kundërshtarët.

Nga ana tjetër, Bardhekaltrit po ashtu janë përforcuar gjatë dimrit dhe e nisën mjaft mirë pjesën e dytë të sezonit me fitore 5:0 ndaj Kosovës së Prishtinës në Kupën e Kosovës dhe më pas me një fitore tjetër 2:0 ndaj Llapit, të cilit ia morën pozitën e liderit.

Prishtina, dominuese pasluftës

Kjo do të jetë përballja e dytë e këtij sezoni në mes të dy prej skuadrave më të vjetra dhe më me përvojë në futbollin kosovar. Të parën, e cila ishte zhvilluar gjatë vjeshtës në Drenas e kishte fituar Prishtina me rezultat të ngushtë 1:0 me golin e shënuar nga Armend Dallku në minutën e parë shtesë.

Nga 38 ndeshje zyrtare të pasluftës Vëllaznimi i ka fituar vetëm 7 ndeshje edhe atë me vetëm dy rezultate; katër herë 2:1 dhe tri herë 1:0. Nga ana tjetër, Prishtina i ka 20 fitore dhe janë 11 barazime me golldallim +34 për prishtinasit, 61:27.

Vëllaznimi nuk ka fituar ndaj Prishtinës në 8 vjetët e fundit në 5 edicione duke arritur vetëm 3 barazime. Në 8 vjetët e fundit Bardhekaltrit kanë triumfuar dy herë me rezultat të thellë 5:0, ndërsa nga Gjakova janë kthyer 4 herë me fitore dhe me një barazim. Prishtina po kërkon ta rikthejë titullin e kampionit të Kosovës pas katër vjetësh. Nga ana tjetër, Vëllaznimi synon t’ju japë fund vuajtjeve të pasluftës dhe të synojë të jetë i suksesshëm që nga sezoni i ardhshëm.

Një tjetër duel interesant të shtunën pritet të jetë edhe ai në mes Besës dhe Trepçës ’89, duke e pasur parasysh faktin se skuadra pejane në stinorin pranveror ka hyrë shumë më e organizuar dhe synon të mbetet në Superligë, derisa kampionët shpresojnë në një pjesë të dytë më të mirë të sezonit në krahasim me vjeshtën.

Ndërkohë, Feronikeli para tifozëve të vet e pret Flamurtarin, skuadra këto që stinorin pranveror e nisën me humbje.

Llapi – Drita, supersfida e së dielës

Llapi dhe Drita do ta shikojnë me vëmendje ndeshjen ndërmjet Vëllaznimit dhe Prishtinës të shtunën. Dy skuadrat e lartpërmendura do të shpresojnë në një “kiks” të Prishtinës për ta fituar më pas supersfidën në mes tyre, në mënyrë që ta kalojnë ekipin Bardhekaltër dhe ta rrëmbejnë kreun e tabelës. Llapjanët e nisën pjesën e dytë të kampionatit me humbje nga Prishtina, me ç’rast e humbën edhe kryesimin, andaj nuk kanë vend më për gabime. Mirëpo, skuadra e Tahir Batatinës nuk ka punë aspak të lehtë në shtëpi pasi e viziton Drita, një tjetër skuadër e fuqishme kosovare. Barazimi do të ishte rezultati më i padëshiruar për këto dy ekipe.

Në ndeshjen tjetër të së dielës Gjilani do të jetë mikpritës i Lirisë, një tjetër sfidë kjo që pritet të jetë interesante pasi të dyja skuadrat kanë cilësi përafërsisht të barabartë. E java e 20-të do të përmbyllet të hënën me ndeshjen ndërmjet Vllaznisë dhe Drenicës.

Prishtina e ka dominuar Vëllaznimin në futbollin e pasluftës. Nga 38 ndeshje zyrtare, Bardhekaltrit kanë 20 fitore, gjakovarët 7 dhe janë regjistruar 11 barazime

Superliga – Java e 20-të

E shtunë

Vëllaznimi – Prishtina

Besa – Trepça ‘89

Feronikeli – Flamurtari

E diel

Gjilani – Liria

Llapi – Drita

E hënë

Vllaznia – Drenica

Ndeshjet fillojnë në orën 13:00