Llapi – Drita, derbi edhe në tribuna

Sport February 23, 2018 - 11:19
Tifozeritë e të dyja skuadrave po përgatisin spektakël për ndeshjen kryesore të xhiros së 20-të të Superligës.

Ndeshja ndërmjet Llapit dhe Dritës nuk do të jetë derbi vetëm në fushën e blertë. Dy skuadrat që e synojnë titullin e kampionit do të përballen në mes vete të dielën në stadiumin “Zahir Pajaziti”, në ndeshjen që fillon në orën 13:00. Dhe fokusi në këtë ndeshje nuk do të jetë vetëm në fushë, por edhe jashtë saj, shkruan sot, gazeta "Zëri".

Në fakt, tifozeritë e të dyja skuadrave po përgatisin spektakël për ndeshjen kryesore të xhiros së 20-të të Superligës.

“Skuadra e Llapit po përgatitet maksimalisht para sfidës tejet të rëndësishme ndaj Dritës, që zhvillohet të dielën në ‘Zahir Pajaziti’. Futbollistët kanë mbledhur forcat dhe po stërviten në maksimum që të jenë të gatshëm për të dielën”, shkruan në grupin zyrtar të Llapit në “Facebook”.

Edhe tifozët llapjanë kanë premtuar spektakël në ndeshjen që do ta kenë në shtëpi gjatë fundjavës. Krahas llapjanëve, në stadium pritet të jenë prezentë edhe tifozët e shumtë gjilanas.

Ata kanë konfirmuar se do të shkojnë në Podujevë në përkrahje të ekipit Bardhekaltër.

“Të dielën klubi ynë i zemrës e zhvillon ndeshjen e radhës kundër ekipit nga Podujeva, andaj ne do të jemi pranë Dritës sonë. Këtë fundjavë do të udhëtojmë në mënyrë të organizuar me autobus drejt Podujevës, ku Drita jonë e zhvillon ndeshjen kundër Llapit.

Drita pranë vetes do ta ketë lojtarin e 12-të dhe së bashku do të mundohemi ta vazhdojmë këtë ecuri pozitive të skuadrës dhe do ta vazhdojmë rrugëtimin drejt qëllimeve tona të përbashkëta”, shkruajnë “Intelektualët” në grupin zyrtar të klubit gjilanas në “Facebook”.

Në fundjavë luajnë edhe Vëllaznimi – Prishtina, Besa – Trepça ’89, Feronikeli – Flamurtari, Gjilani – Liria e Vllaznia – Drenica./Zëri