Më të mirën ndaj polakëve

Sport February 23, 2018 - 11:00
Përfaqësuesja e Kosovës është e gatshme të përballet sonte me Poloninë në ndeshjen e vlefshme për eliminatoret e “Botërorit 2019”. Basketbollistët Verdhekaltër premtojnë se do të mundohen me të gjitha forcat që t’i befasojnë polakët. Njëjtë mendon edhe trajneri Brad Greenberg, i cili thotë se ekipi i tij do ta japë më të mirën për të tentuar të dalë mirë nga ndeshja e sontme. Të hënën mbrëma Kosova luan me Lituaninë, po ashtu si mysafire, shkruan sot, gazeta

Përfaqësuesja e Kosovës është përgatitur maksimalisht për ndeshjen e sontme që do ta zhvillojë ndaj Polonisë, e vlefshme për eliminatoret e Botërorit të Kinës, i cili do të mbahet në vitin 2019. Verdhekaltrit kanë stërvitur ditët e fundit në Poloni, me të cilën do të përballen sonte në shtëpi të saj, në ndeshjen që fillon në orën 19:00, shkruan sot, gazeta "Zëri". 

Greenberg: Lojtarët tanë në formë, jemi gati!

Trajneri Brad Greenberg është ndarë i kënaqur me grumbullimin e ekipit në Torun të Polonisë, derisa skuadra e tij mbajti tri seanca stërvitore atje. Trajneri amerikan është i kënaqur me formën e lojtarëve dhe beson se Kosova mund të dalë mirë nga dueli me polakët.

“Deri më tani i kemi zhvilluar tri stërvitje dhe jam i kënaqur me punën që e kanë bërë basketbollistët. Është shumë mirë që i kemi të gjithë këtu dhe posaçërisht që tani e kemi në dispozicion edhe Shawn Jones dhe që është rikthyer Erjon Kastrati”, deklaroi fillimisht përzgjedhësi i Kosovës.

“Jemi të emocionuar, ky është një shans i mirë për të luajtur në Poloni pasi kemi dëgjuar se këtu atmosfera është shumë e mirë. Po ashtu Polonia ka një skuadër shumë të fortë, aktualisht është e 28-ta në renditjen botërore, por unë besoj se djemtë tanë do ta bëjnë më të mirën”, vazhdoi ai.

“Dardani është në formë të mirë, Lisi po ashtu, ata me ekipet e tyre në Çeki, përkatësisht Lituani janë më mes të edicioneve. Po ashtu edhe Shawn është duke bërë mirë me klubin e tij Dinamo Sassari në Itali. Kjo përbërje e ekipit do të luajë për herë të parë së bashku”, nënvizoi Greenberg.

Ai shton se Shawn nuk ka luajtur asnjëherë deri më tani me Kastratin dhe se trajneri nuk e ka pasur rastin që ta ketë atë në dispozicion kurrë më parë.

“Ne kemi shumë punë për të bërë, por shpresojmë të luajmë sa më mirë më 23 shkurt kundër Polonisë dhe më 26 ndaj Lituanisë”, thotë Greenberg.

Edhe basketbollistët Dardan Berisha dhe Erjon Kastrati kanë premtuar se do ta japin më të mirën në tentim për t’i befasuar polakët të premten mbrëma.

Përfaqësuesja e Kosovës ka qëndruar deri të enjten në Torun, prej nga më pas është zhvendosur për në Wloclawek, qytetin ku edhe do të zhvillohet ndeshja me polakët.

Kosova do të ballafaqohet me Poloninë sonte duke filluar nga ora 19:00 në Wloclawek, kurse më 26 shkurt në Klaipeda do të jetë mysafire e Lituanisë, takim ky që do të luhet me fillim nga ora 19:30, shkruan "Zëri". 

Të dyja këto ndeshje i takojnë Dritares së Dytë të Grupit C të kualifikimeve evropiane të kupës së botës “Kina 2019”, ku Kosova është në grup me Lituaninë, me Hungarinë dhe me Poloninë. Duhet theksuar se në dy ndeshjet e Dritares së Parë Kosova ka pësuar disfata, së pari në shtëpi në përballje me Lituaninë dhe më pas si mysafire në ballafaqim me Hungarinë.

Polakët presin fitore të lehtë

Nga ana tjetër, polakët llogarisin në fitore të lehtë ndaj Kosovës. Trajneri i tyre, Mike Taylor, beson se skuadra e tij ka kapacitet për t’i mposhtur kosovarët, te të cilët e veçon Dardan Berishën si basketbollistin më të rrezikshëm të kundërshtarit.

“Ne po përgatitemi për ndeshjen me Kosovën. Kjo është një ndeshje mjaft e rëndësishme. Ne po mendojmë edhe për lojën me Hungarinë dhe këto janë dy ndeshje vendimtare, andaj natyrisht se do të kërkojmë fitore”, deklaroi trajneri amerikan.

Edhe basketbollisti polak Kamil Laczynski pret fitore ndaj Kosovës sonte. Ai kërkon përkrahje nga publiku për ta arritur këtë dhe ndeshjen me Berishën me shokë e konsideron si mjaft të rëndësishme.

Eliminatoret e “Botërorit 2019”

E premte

19:00 Polonia – Kosova