I lumtur që s’u rrëzua

Sport February 23, 2018 - 10:11
Ai i ka falënderuar të gjithë për mbështetjen që ia dhanë gjatë periudhës sa qëndroi në Korenë e Jugut.

Albin Tahiri i ka mbyllur të enjten garat e tij në lojërat olimpike dimërore “PyeongChang 2018”. Skitari kosovar e zuri vendin e 39-të nga 108 garues në disiplinën e sllallomit, ku shumë garues u diskualifikuan. Pas dy lëshimeve Albini e pati kohën 2:02.93 sekonda. Në lëshimin e parë garuesi ynë ishte i 48-ti me kohën 1:00.98 sekonda, shkruan sot, gazeta "Zëri". 

Skitari i lindur dhe i rritur në Slloveni u shpreh i kënaqur me rezultatin, si dhe me faktin që nuk u rrëzua asnjëherë në pesë disiplinat ku mori pjesë duke i mbyllur ato me sukses, edhe pse nuk fitoi ndonjë medalje. Ai i ka falënderuar të gjithë për mbështetjen që ia dhanë gjatë periudhës sa qëndroi në Korenë e Jugut.

“Sot ishte një garë e vështirë, shumë garues nuk e përfunduan atë. Unë ia dola dhe jam i lumtur për këtë. Vendi i 39-të nuk është i keq. Krejt çfarë mund të them është se të gjitha garat i përfundova deri në fund dhe ky është një sukses në vete. Të jesh gati çdo ditë në borë është lodhje, andaj ju faleminderit të gjithëve këtu dhe atyre në Kosovë për përkrahjen”, tha Albin Tahiri pas garës.

Pupovci: Albini na ka befasuar për të mirë

Trajneri i Albin Tahirit, Agim Pupovci, nuk kishte pritur paraqitje të tillë në sllallom, pasi disiplinat më të mira për Albinin janë disiplinat e shpejta. Megjithatë, ai është i kënaqur me ato që tregoi garuesi kosovar në Olimpiadën Dimërore.

“Sot ishte gara e fundit, jemi të kënaqur. Albini ka befasuar me sllallom, sidomos me lëshimin e parë ku shumë garues nuk e përfunduan. Tahiri na ka befasuar për të mirë në disiplinat teknike, pasi më shumë kemi pritur në disiplinat e shpejta”, tha Pupovci.

Kujtojmë që Albini garoi edhe në katër disiplinat tjera si: kombinim alpin (vendi i 37-të), lëshim (50), supersllallom i madh (47), sllallom i madh (56) dhe sllallom (39). Ai ishte garuesi i vetëm i Kosovës në këtë eveniment./Zëri