Toni Bler-at e Kosovës

Sport February 22, 2018 - 13:44

Kosova posa e ka festuar 10-vjetorin e Pavarësisë, ndërsa në qershor do ta festojë 19-vjetorin e çlirimit. Shteti ynë i ri tani përmes rinisë që merret me sport po mundohet të njoftohet me botën. Kjo do të ishte e pamundur të bëhej pa përkrahjen paraprake të shteteve më të mëdha perëndimore, liderët e të cilave në kohët më të vështira i dolën në mbrojtje vendit tonë. Njëri ndër ta është Tony Blair. Sot në Kosovë janë 12 të rinj që në shenjë mirënjohjeje e mbajnë emrin e ish-kryeministrit britanik. Toni Bler Muliqi dhe Toni Bler Thaçi në Kosovën e lirë po e ndjekin ëndrrën për t’u bërë futbollistë të mëdhenj dhe ta përfaqësojnë shtetin e tyre në arenën ndërkombëtare

Po bëhen 19 vjet prej çlirimit të Kosovës nga ish-regjimi serb, shkruan sot gazeta Zëri.

Ndërsa të shtunën që lamë pas Kosova e festoi Dhjetëvjetorin e Pavarësisë së saj, për të cilën populli ka sakrifikuar shumë.

Por, lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk do ta kishte efektin e mjaftueshëm për liri dhe pavarësi pa ndihmën e udhëheqësve të shteteve më të rëndësishme perëndimore.

Njëri prej kontribuuesve më të mëdhenj për çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës pa dyshim që është ish-kryeministri i Britanisë së Madhe, Tony Blair.

Falë njerëzve si ai, të cilët në kohët më të vështira të Kosovës po i udhëhiqnin shtetet më të forta të botës, Kosova është jetësuar si shtet dhe dhjetë vjet pas pavarësimit dhe 19 vjet pas tmerrit të përjetuar nga lufta e fundit vendi ynë dhe populli i saj po mundohet t’i kthehet normalitetit, zhvillimit dhe barazisë me shtetet e tjera.

Në këtë proces Kosova më së shumti po ndihmohet nga sporti.

Sportistët si Majlinda Kelmendi dhe të tjerët po e njoftojnë botën me simbolet shtetërore të Kosovës, duke e përfaqësuar shtetin e tyre të ri në garat më të rëndësishme ndërkombëtare pas dekadave të izolimit.

Pra, dalja e sportistëve të Kosovës në arenën ndërkombëtare do të ishte e pamundur pa përkrahjen e shteteve perëndimore që udhëhiqeshin nga presidentë e kryeministra, siç bie fjala për Tony Blair.

Andaj, emrin e këtij njeriu që do ta kujtojë përherë historia e Kosovës sot e mbajnë 12 të rinj, të lindur në kohën e çlirimit të Kosovës e të pagëzuar nga prindërit e tyre me emrin e anglezit në shenjë mirënjohjeje për ndihmën e madhe që Tony Blair ia ka dhënë Kosovës.

Dy prej këtyre kosovarëve zoti ua ka falur talentin dhe ëndrrën për t’u bërë futbollistë të mëdhenj, kurse njerëzit si Toni Blair u kanë mundësuar që ta ndjekin ëndrrën e tyre.

Ata janë Toni Bler Muliqi dhe Toni Bler Thaçi. Ata me krenari e mbajnë emrin e mikut të madh të Kosovës, falë të cilit sot janë të lirë, luajnë lirshëm futboll dhe e ndjekin ëndrrën për t’u bërë futbollistë të mëdhenj si Cristiano Ronaldo apo Lionel Messi.

“Kur Tony Blair erdhi në Prishtinë në vitin 2010 ka pasur dëshirë të na takojë neve, 12 djemtë që jemi pagëzuar me emrin e tij. Isha shumë i emocionuar para të gjithë popullit, po ashtu edhe Tony Blair është ndier shumë i lumtur që na takoi neve”, thotë për “Zërin” Toni Bler Muliqi, i cili ndjek mësimet në shkollë dhe luan futboll në klubin Feronikeli në Drenas.

“Pasi e kryej mësimin shkoj të stërvitem në klubin e futbollit Feronikeli. Futbolli është pasioni im dhe shpresoj të bëhem një futbollist që t’i shërbej kombit tim shqiptar. Cristiano Ronaldo dhe Sergio Ramos janë idhujt e mi”, ka thënë Muliqi.

Toni Bler Muliqi dhe Toni Bler Thaçi kanë pasur rast ta takojnë njëri-tjetrin, por edhe dhjetë Toni Bler-at e tjerë të Kosovës në një takim të para disa vitesh me britanikun kur e kishte vizituar Kosovën.

“Ishte ndjenja më e mirë për mua si një fëmijë të dal para të gjithë publikut aq të madh që kishin ardhur për ta parë Toni Blairin. Më kujtohen edhe  lotët e zonjës Cherie Blair, gruas së kryeministrit Tony Blair. Ishte një ndjenjë e paharruar”, rrëfen për “Zërin” Toni Bler Thaçi, i cili qe 13 vjet në liri është duke e ndjekur ëndrrën për t’u bërë një futbollist i madh.

“Përveç shkollës merrem edhe me sport, me futboll. Ambiciet e mia janë t’i kap majat e futbollit, të arrij sa më shumë pasi kam 13 vjet që merrem me futboll. Jam duke punuar shumë në këtë aspekt dhe të arrij sa me shumë me futboll”, ka thënë Thaçi.

Derisa Toni Thaçi dhe Muliqi ëndërrojnë të bëhen futbollistë të mëdhenj dhe ta mbajnë të njohur emrin Tony Blair në arenën ndërkombëtare, dhjetë Toni Bler-at e tjerë kosovarë planifikojnë profesione të tjera të ndryshme.

Por, të gjithë ata janë të vendosur të bëhen njerëz të mirë dhe humanë sikurse britaniku, për çka edhe e kanë marrë emrin e tij.

Njëri ndër ta është 17-vjeçari nga Skenderaj, Toni Bler Dajaku.

“Ambicia ime është ta përfundoj shkollimin e mesëm, të regjistrohem në fakultet dhe ta marr profesionin tim. Kam dëshirë të shkoj hapave të Tony Blairit, edhe pse nuk e kom drejtimin për profesionin e tij. Po ashtu kam dëshirë të shkoj hapave të mësuesit tim, instruktorit Sami Gashi, që më jep praktiken profesionale për ujësjellës dhe të bëhem si ai, mësues”, është shprehur Dajaku, i cili e tregon reagimin e të tjerëve kur u prezantohet me emrin Toni Bler.

Thotë se të gjithë çuditeshin, por edhe e kuptonin arsyen se pse e mban atë emër, sepse nuk ka njeri në Kosovë që nuk e di ndihmën e britanikut për Kosovën dhe për popullin e saj. /Zëri/