Këto janë dy ndeshjet e sontme të Championsit!

Sport February 20, 2018 - 13:28

Liga e Kampionëve kthehet të martën dhe të mërkurën me ndeshjet tjera të së tetës së finales. Derbi më i madh i kësaj jave pa dyshim se do të jetë ai në mes Chelseat dhe Barcelonës që luhet në “Stamford Bridge”. Ndeshja tjetër e së martës do të zhvillohet mes Bayernit e Besiktasit. Ndërkohë, të mërkurën zhvillohen takimet Sevilla – Manchester United dhe Shakhtar – Roma.

Një javë pas katër takimeve të para të mahnitshme në Ligën e Kampionëve, këtë të martë dhe të mërkurë do të zhvillohen katër takimet e mbetura të fazës së parë eliminatore në kompeticionin më prestigjioz evropian, shkruan zeri.info.

Ndeshja që pritet të marrë vëmendjen kryesore pa dyshim që do të jetë ajo mes Chelseat dhe Barcelonës në Londër, shkruan sot gazeta Zëri.

Dy skuadrat nuk është se janë të panjohura mes vete. Klubi anglez dhe ai spanjoll janë takuar plot 15 herë mes vete, ndërsa statistikat janë të barabarta.

Të dyja ekipet kanë nga 5 fitore, kurse po aq ndeshje kanë përfunduar edhe në baraspeshë.

Takimi i fundit mes dy skuadrave daton në gjysmëfinalen e Ligës së Kampionëve të vitit 2012, kur Chelsea kishte triumfuar me rezultatin e përgjithshëm 3:2, për ta fituar më pas këtë kompeticion në finalen ndaj Bayern Munichut me penalti.

David Luiz dhe Tiemoue Bakayoko pritet t’i mungojnë Antonio Contes në këtë takim, ndërsa për katalonjasit Nelson Semedo mungon për shkak të kartonëve.

Ndeshja tjetër e ditës së martë do të jetë ajo mes Bayern Munichut dhe Besiktasit.

Gjigandi bavarez është në një seri fantastike prej 12 fitoresh në të gjitha garat dhe shihet si një favorit absolut në ndeshjen ndaj turqve, të cilët këtë edicion kanë pasur paraqitje mjaft të mira në Ligën e Kampionëve.

Manuel Neuer do të mungojë te vendasit në këtë ndeshje, kurse te Besiktasi pritet të mungojnë Veli Kavlak dhe Atinc Nukan.

Takimi më i rëndësishëm të mërkurën pritet të jetë ai mes Sevillas dhe Manchester Unitedit. Klubi spanjoll do të mundohet të nxjerrë një rezultat sa më të mirë si vendas për të shpresuar më pas kualifikimin në “Old Trafford” në ndeshjen kthyese.

Ever Banega do të jetë mungesa më e madhe për Vincenzo Montellon, kurse për “Djajtë e Kuq” do të mungojë Marouane Fellaini.

Gjithashtu në dyshim të madh mbetet edhe prezenca e mesfushorit Paul Pogba.

Ndeshja e fundit që do t’i kompletojë sfidat e para të së tetës së finales në Ligën e Kampionëve do të jetë ajo mes Shakhtarit dhe Romës.

Italianët mund të jenë më të favorizuar, por nuk duhet harruar që ishte pikërisht Shakhtari që eliminoi Napolin nga Liga e Kampionëve në fazën e grupeve.

Shumëkush e ka konsideruar këtë takim si mjaft interesant për shkak se të dyja ekipet konsiderohen si kundërshtarë të barabartë. /Zëri/

Liga e Kampionëve

E teta e finales

E martë

20:45   Bayern  Munich – Besiktas    

20:45   Chelsea – Barcelona   

E mërkurë

20:45   Sevilla – Manchester United

20:45   Shakhtar Donetsk  – Roma