Zyrtare: De Vrij do të largohet nga Lazio

Sport February 19, 2018 - 21:57

Drejtori Sportiv i Lazios, Igli Tare e ka konfirmuar se qendërmbrojtësi holandez, Stefan de Vrij do të largohet në fund të këtij sezoni

Igli Tare e ka konfirmuar se De Vrij do të largohet në fund të sezonit, pasi Lazio ka tërhequr ofertën për kontratën e re.

Ai falënderoi lojtarin për përkushtimin e tij, por tha se në qershor ai do të largohet.

“Lazio ka tërhequr propozimin për kontratën e re të De Vrij”, ka thënë Tare për Mediaset Premium.

“Ne kemi tërhequr ofertën tonë për arsye që do t’i bëjmë të dituar më vonë. Ishte një zgjedhje e bërë pas disa muajsh bisedime, por kishte një limit”, vazhdoi ai.

“Ai ka qenë profesionist i jashtëzakonshëm dhe e falënderojmë për çka ka bërë dhe do të bëj deri në fund të sezonit. Ai i ka dhënë shumë këtij klubi, por rrugët tona do të ndahen në qershor”, u shpreh ai në fund.

De Vrij po kërkohet nga shumë skuadra, ndër to Inter, Juventus dhe Manchester United.