Zbehtë për Pavarësi!

Sport February 16, 2018 - 14:32

Kosova do ta kompletojë të shtunën dekadën e parë të shpalljes së Pavarësisë. Mirëpo, ky vit jubilar nuk ka qenë i mjaftueshëm për organizimin e ndonjë aktiviteti të madh sportiv.

Federatat nga sportet e mëdha 17 Shkurti i zuri në gjumë të thellë pasi as përfaqësueset, por as klubet e sporteve kryesore nuk e kanë parë të arsyeshme ta zhvillojnë ndonjë ndeshje që do të linte gjurmë të pashlyeshme me sjelljen e ndonjë përfaqësueseje apo ndonjë klubi të madh.

Sporti më i madh në vend – futbolli e ka zgjedhur “heshtjen” dhe pushimin për këtë datë historike. FFK-ja, por as klubet e futbollit s’e kanë parë të udhës ta organizojnë ndonjë ndeshje për këtë datë.

Basketbolli është munduar të nxirret disi, por me siguri se ajo çka ka bërë Federata e Basketbollit është e pamjaftueshme. Në fakt, klubi i basketbollit PRO Bet Prishtina (femrat), i mbështetur nga shtëpia e basketbollit kosovar, më 13 dhe 14 shkurt 2018 e ka organizuar një turne ndërkombëtar për nder të 10-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës. Në këtë turne morën pjesë edhe ekipet Tirana, Nikshiqi dhe Rilski.

Për Pavarësi mjaft aktiv do të jetë hendbolli. Por, nuk bëhet fjalë për ndonjë aktivitet që e shënon këtë datë, por Federata e Hendbollit ka vendosur që pikërisht këtë fundjavë, që rastis edhe me 10-vjetorin e Pavarësisë, të fillojë pjesa e dytë e sezonit në Superligë.

Federata e Volejbollit ia ka bërë hyzmetin si duhet, duke organizuar dy ndeshje për Pavarësi ditë më parë, respektivisht të martën. Përfaqësuesja e Kosovës u përball me Kombëtaren shqiptare në të dyja konkurrencat, meshkujt dhe femrat.

Kurse, Federata e Boksit e ka organizuar turneun e parë ndërkombëtar të boksit “Pavarësia”, për të rinj dhe seniorë, i cili do të mbahet të shtunën, ndërsa në këtë turne do të marrin pjesë Kosova, Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia.

Në fund, Komiteti Olimpik i Kosovës ka vendosur ta shënojë 10-vjetorin e Pavarësisë me organizimin e festivalit olimpik “PyeongChang2018” dhe panairit të sportit “Prishtina 2018”, ku qytetarët, kryesisht fëmijët, po e shijojnë atmosferën e Olimpiadës Dimërore në patinazh, curling dhe hokej mbi akull.