Erdhi pranvera e nxehtë

Sport February 16, 2018 - 11:35

Ndeshjet e Kupës së Kosovës, që u zhvilluan të mërkurën, e kanë paralajmëruar një sezon shumë të nxehtë pranveror.

Pjesa e dytë e kampionatit do të nisë të dielën kur shumë ekipe do ta fillojnë luftën e madhe për titull të kampionit, si Llapi, Prishtina, Drita, Feronikeli, Liria, Trepça ’89 dhe Gjilani.

Të gjitha këto e duan kualifikimin në Evropë përmes titullit të kampionit ose përmes Kupës së Kosovës. Mirëpo, eliminimi i disa prej tyre nga gara e Kupës Shtetërore veç çka e paralajmëron një garë akoma më të fortë kampionale.

Kjo pasi ekipet si Trepça ’89, Feronikeli apo Liria – të eliminuara nga Kupa – tani Evropën e shpresojnë vetëm përmes titullit. Dallimi në kualitet dhe në pikë ndërmjet tyre është jashtëzakonisht i përafërt. Me këtë nënkuptohet se favorit në luftën për titull të kampionit nuk do të ketë, por lufta “e çmendur” është thuajse e garantuar.

Me fjalë tjera mund të thuhet se po nis një sezon me plot adrenalinë. Edhe atë qysh prej xhiros së parë, e cila zhvillohet të dielën. Mirëpo, vëmendja kryesore do të jetë kah Peja, ku do të “përplasen” dy ekipet më favorite, Prishtina dhe Llapi. Llapjanët po dalin në pranverë si liderë të Superligës me 34 pikë.

Pra, i kanë vetëm dy pikë më shumë sesa rivali i parë pranveror, Prishtina, e cila tashmë e ka bërë një skuadër vërtet të madhe. Sidoqoftë, përballja e së dielës në mes tyre nuk parasheh favorit. Sidomos pas ndeshjeve për Kupë, teste të cilat këto dy skuadra i kaluan perfekt. Llapi e eliminoi kampionen aktuale, Trepçën ‘89 (2:0), kurse Prishtina e “shkatërroi” Kosovën e Prishtinës (5:0).

Derisa trajneri nga Shqipëria i Prishtinës, Mirel Josa, e shfrytëzoi ndeshjen e Kupës për ta mësuar saktësisht gjendjen e ekipit para duelit me Llapin, të cilin natyrisht se beson se do të mundë ta mposhtë të dielën, trajneri i lapjanëve Tahir Batatina në mënyrë të tërthortë e ka “kërcënuar” Josën.

Pasi e mposhti Trepçën ’89 që ka trajner nga Shqipëria, Batatina ka deklaruar se të gjithë trajnerëve që kanë ardhur nga shteti shqiptar do t’ju vjen puna të kthehen prej nga kanë ardhur shkaku i humbjeve që po i presin prej ekipit të tij.  

Po të dielën do të zhvillohet një tjetër ndeshje ndërmjet dy kandidatëve tjerë të mëdhenj për titull – Dritës dhe Feronikelit.

Gjilanasit i kanë vetëm dy pikë më shumë sesa drenicasit, ndërsa do të bëjnë çmos që ta fitojnë duelin për t’ju ofruar kreut. Por, “Nikli” i Ismet Munishit do ta bëjë të pamundur për ta konfirmuar seriozitetin në luftë për titull, që është rruga e vetme e tij për ta shpëtuar sezonin. Në anën tjetër, fitore të domosdoshme do të kërkojnë edhe Trepça ’89 ndaj Vëllaznimit dhe Liria ndaj Vllaznisë.

Superliga – Xhiroja e 19-të

E diel

Prishtina – Llapi

Drita – Feronikeli

Trepça – Vëllaznimi

Liria – Vllaznia

Drenica – Besa

E hënë

Flamurtari – Gjilani

Të gjitha ndeshjet fillojnë në orën 12:30.