Akili e Distria kthehen nga Parisi, ja kujt ia dedikojnë medaljet

Sport February 15, 2018 - 21:53

Akil Gjakova dhe Distria Krasniqi janë rikthyer në Kosovë pas pjesëmarrjes së suksesshme në Grand Slam-in e Parisit, ku fituan edhe medaljen e artë, respektivisht të bronztën.

Xhudisit Akil Gjakova, i cili mori medalje të artë për TV Dukagjini tregon për vështirësitë që kishte ta arrinte finalen, duke cilësuar si turne mjaft të rëndësishëm atë të Parisit, derisa medaljen ia dedikon shtetit të Kosovës në prag të 10-vjetorit të pavarësisë.

“Sigurisht që jam shumë i kënaqur pasi me fitua një Grand Slam të Parisit nuk është lehtë. Shumica e sportistëve e kanë ëndërr ta fitojnë një garë të këtij niveli”, Akil Gjakova për TV Dukagjini.

“Jam shumë i kënaqur që puna ime u shpërblye në këtë mënyrë. Nëse më kishit pyet para garave se si do donit të ishte ky vit, nuk kisha ditur t’i përgjigjem”.

“Ishte një garë e fortë me kampionin olimpik dhe ishte shumë e vështirë ta mposhtësh atë. Medaljen ia dedikoj shtetit tim, Kosovës për 10 vjetor”, përfundoi Gjakova.

Distria Krasniqi, medalistja e bronztë, thotë se ky sukses i dedikohet Kosovës dhe i paraprinë kampionatit evropian të xhudos.

“Natyrisht se jam e kënaqur me paraqitjen e bërë në Paris në Grand Slam pasi që është një garë shumë e fortë, një ndër garat më të forta që bëhen në sportin e xhudos”, ka thënë fillimisht Distria Krasniqi.

“Mund të them se është gara më e fortë pas kampionatit evropian, dhe nuk është e thënë ta fitosh vetëm medaljen e artë ose të argjendtë, por me rëndësi ka të jesh në podium, kështu që jam e kënaqur me rezultatin”.

“Normalisht se çdo medalje i dedikohet shtetit të Kosovës, pasi ne përfaqësojmë vendin tonë dhe jemi ambasador të këtij vendi. Medalja i dedikohet edhe trajnerit dhe familjes”, përfundoi Krasniqi. /Telegrafi/