FC Prishtina endet nëpër Kosovë, si mos me qenë e kryeqytetit!

Sport February 15, 2018 - 17:24

Klubi më i trofeshëm në vend Prishtina është duke e vuajtur tej mase mungesën e stadiumit, pasi ai i kryeqytetit po futet në vitin e dytë që kur ka filluar të rinovohet.

Prezantimi i transferimeve të mëdha si të Armend Dallkut, Debatik Currit dhe Ahmed Januzit, ishin imazhet e fundit të klubit në stadiumin e qytetit, pasi që nga atëherë, ata janë pa kulm mbi kokë dhe vazhdojnë të kërkojnë strehim në mbarë Kosovën.Për stërvitje Prishtina udhëton diku tjetër, e për ndeshje diku tjetër.

Kjo nuk e ka penguar klubin, pasi që në kampionatin e shkuar e mbylli ne vendin e dytë duke marrë të drejtën që të luajë në Evropë, respektivisht në Ligën e Evropës.Zyrtari për informim pranë klubit thotë se mungesa e stadiumit i ka kushtuar klubit si financiarisht, por në aspektin sportiv.

Prishtinës për të luajtur dhe për të stërvitur iu është dashur të udhëtojë në Obiliq, Lipjan, Podujevë, Drenas, Gjakovë, Ferizaj, Mitrovicë dhe tani në Pejë, ku pritet t’i zhvillojë ndeshjet në kuadër të kampionatit.“Largimi prej stadiumit, pa i gjetur paraprakisht klubit vend për teshatore, për stervitje dhe për zhvillimin e ndeshjeve, kjo i ka kushtuar klubit kosto të madhe financiare, por mbi te gjitha, lodhje të madhe fizike dhe largësi për adhuruesit e klubit”.

“Sepse, të kesh stacionin në palestrën e sporteve në Kastriotë, e te stërvitesh në lloçin e fushës ndihmëse të “Agron Ramës” e për të vazhduar nga Mazgiti, Podujeva, Lipjani e deri te Mitrovica e Drenasi, është mundim i paimagjinueshëm”.

“Megjithëse Prishtina i takon tërë Kosovës, pasi e tillë ka qenë në vitet 80-ta ku përfaqësonte tërë shqiptarët në ish-Jugosllavi dhe ndjen kënaqësi kur e presin në të gjitha qytetet e Kosovës, megjithatë paraqet vështirësi”.“Por, FC Prishtina është klub i madh dhe klubi këtë e sheh vetëm si një sfidë të jashtëzakonshme dhe si njëra prej pengesave të ndryshme, për të arritur, jo vetëm deri te qëllimet e caktuara sportive, por mbi te gjitha, si sfide drejt profesionalizimit krahas klubeve normale evropiane”, ka thënë zëdhënësi i klubit të Prishtinës, Avni Durmishi për Telegrafin.

Prishtina në ndeshje ndaj Kosovës së Prishtinës të zhvilluar në Ferizaj, u desh që me angazhim të gjithë strukturës së klubit që ta largojë borën.

Dallku: Erdha të luaja para tifozëve të Prishtinës, por ende nuk po ndodh

Ai prej rikthimit nga Ukraina ende nuk e ka zhvilluar asnjë ndeshje në stadiumin e Prishtinës.

Kapiteni i Prishtinës thotë se kjo e ka hendikepuar skuadrën, por edhe tifozët dhe klubin, pasi ka kosto shtesë.“Kur kam vendos të jem pjesë e Prishtinës, dëshira ime ishte të luaja para tifozëve Plisave dhe para dashamirëve të Prishtinës, mirëpo duke marr parasysh problemet me stadiumin, ku afër dy vite jemi jashtë shtëpisë sonë, kemi pas shumë probleme”

“Mendoj që një ndër faktorët kryesor që një ekip të ketë suksese kulminante është stadiumi dhe tifozët ku neve po na mungojnë. Me gjithë dëshirën që po kanë tifozët tanë për të na ndjekur, shumë here po është e pamundur, sepse për secilin është kosto shtesë, si për klubin, po ashtu edhe për tifozët tanë Plisat”.

“Këtu futet edhe pagesa e fushës për ndeshje, për stërvitje, ambientet përcjellëse edhe shumë gjëra tjera që dalin nga mos pasja mundësi të luash dhe të stërvitësh në shtëpi”, ka deklaruar Dallku për Telegrafin.Shpresa e madhe e Dallkut është që disa ndeshje të fundit në pranverë t’i zhvillojnë në shtëpi, pasi të përfundojë rinovimi i stadiumit.

Josa ishte i kënaqur me vendin e dytë edhe pse luante jashtë stadiumit 

Trajneri i njohur shqiptar, Mirel Josa, pas përfundimit të stinorit vjeshtor kishte thënë, që vendi i dytë nuk është opsion për Prishtinën, por duke marr parasysh rrethanat, nuk është rezultat i keq.

Edhe Josa nuk e ka drejtuar skuadrën asnjëherë në stadiumin e kryeqytetit.

“Unë nuk jam i kënaqur nga pozita e dytë e Prishtinës, sepse Prishtina ka pretendime më të mëdha. Por, nga lojërat që kemi bërë duke marrë parasysh se kemi luajtur jashtë fushës tonë, normalisht që jam i kënaqur deri tashti”.“Duhet parë se çfarë do të bëjmë më vonë, sepse të kënaqet një trajner me një skuadër, duhet të kënaqet me atë çka i kërkon skuadrës të bëjë në vazhdimësi”, kishte thënë Josa pas ndeshjes me Feronikelin.

Josa kur erdhi fillimisht si drejtor sportiv, kishte shkuar nga afër t’i sheh punimet në stadiumin e qytetit në Prishtinës.

Ndeshjen e ardhshme Prishtina si vendas do ta zhvillojë në Pejë kundër Llapit. /Telegrafi/