Dentisti olimpik i Kosovës

Sport February 15, 2018 - 13:17

Debutimi me Kosovën në Olimpiadën Dimërore e ka bërë Albin Tahirin lajm ndërkombëtar. Mediet e huaja po shkruajnë vazhdimisht për skitarin kosovar. 28-vjeçari ka folur rreth ëndrrës së realizuar dhe eksperiencës nëpër të cilën po kalon në “Pyeongchang 2018”, por edhe për profesionin e tij, atë të dentistit. Ai e ka pranuar se infrastruktura në Kosovë lë për të dëshiruar, por shpreson që gjërat do të përmirësohen. Skitari i lindur në Slloveni është i gatshëm për sfidën e radhës, që do ta ketë të enjten

Dentisti Albin Tahiri kishte pritur me vite për t’u bërë përfaqësuesi i parë i Kosovës në Lojërat Olimpike Dimërore dhe tani që ka arritur në Pyeongchang, nuk është duke i bërë gjërat shkel e shko, shkruan sot gazeta Zëri.

Tahiri, shteti i të cilit kishte shpallur pavarësinë nga Serbia para një dekade, është atleti i vetëm kosovar në Olimpiadë dhe planifikon të marrë pjesë në pesë garat individuale në skitari para se të shkojë në shtupo dhe t’i fillojë përsëri stërvitjet e tij.

Në garën e tij të parë në disiplinën kombinim alpin në konkurrencën e meshkujve të martën, ku shumë skitarë shumë më të njohur se ai u rrëzuan dhe dolën nga shtegu, ai u tregua tejet i vendosur për të arritur deri në fund të shtegut dhe përfundoi në vendin e 37-të.

Image

“Kishte shumë akull, kështu që pata shumë probleme. Por, kur i shihja të tjerët duke dalë nga shtegu unë vendosa që thjesht ta përfundoj garën sepse është gara jonë e parë dhe doja ta përfundoja garën time të parë në Olimpiadë”, deklaroi Tahiri për “Reuters”.

I lindur në Slloveni nga një nënë sllovene dhe një baba shqiptaro-kosovar, Tahiri kishte ëndërruar gjatë që ta përfaqësojë Kosovën në Olimpiadë, por shteti, që i mungojnë kushtet ideale për skitari, u njoh nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar vetëm në vitin 2014.

“Ata kanë male, por infrastruktura është shumë e dobët. Teleferikët janë shumë të vjetër, sidomos pjerrësitë nuk janë të rregulluara gjatë gjithë kohës”, u shpreh ai.

Për këtë arsye ai shumicën e kohës stërvitet në Austri, në Itali dhe në Slloveni, ku ai jeton dhe është diplomuar në fushën e stomatologjisë, një lëmi e cila duket po aq rraskapitëse sa skijimi.

Image

“Gjatë këtyre viteve që kam pritur Kosovën t’i bashkohet familjes olimpike unë thjesht vendosa që të mos pres dhe të studioj, kështu që u diplomova në stomatologji, që ishte pasioni im. Në fakt operimi oral është pasioni im”, shprehet Tahiri.

“Sapo jam diplomuar tani, e kam edhe një vit si praktikant dhe pastaj jam duke menduar për implementimin e rikonstruktimit të gojës në tërësi dhe të vazhdoj kështu, diçka të tillë, pak nga operimet orale, pak nga protezat. Ndoshta do t’i përmirësoj disa gjëra tek skitarët... jo, thjesht po bëj shaka”, thotë Tahiri.

Specialisti i tatëpjetave, i cili mbush 29 vjeç të enjten dhe ka familjarë të shpërndarë deri në Kanadanë e largët, tashmë ka filluar të mendojë për Lojërat Olimpike të vitit 2022 në Bejing.

Ai sheh një lidhje të mirë mes interesave të tij për sportin dhe për stomatologjinë.

“Me një punë private do të kem më shumë para për t’u stërvitur”, përfundoi ai. /Zëri/