Kthehen 'ethet' e Championsit, këto janë çiftet e sontme dhe të nesërme!

Sport February 13, 2018 - 15:54

Këtë mesjavë do të kthehen “ethet” e netëve të Ligës së Kampionëve. Të martën do t’i përjetojmë përballjet Juventus – Tottenham dhe Basel – Manchester City. Kurse, të mërkurën e Shën Valentinit shumë gra mund të mbesin të palumtura për shkak të përplasjes së titanëve, Real Madrid dhe Paris Saint-Germain. Ndeshja tjetër e 14 shkurtit luhet në Portugali mes Portos dhe Liverpoolit

Pas dy muajsh pritjesh më në fund do të kthehen “ethet” e përballjeve të kampionëve, shkruan sot gazeta Zëri.

Mbrëmjen e së martës tifozët e futbollit anembanë botës do t’i kthejnë sytë kah sfidat e së tetës së finales të Ligës së Kampionëve.

Ndeshja më kryesore e së martës pritet të jetë ajo mes Juventusit dhe Tottenhamit në Torino.

Gjigandi italian, i cili ka mbërritur dy herë në finale të kompeticionit më prestigjioz evropian gjatë tri edicioneve të fundit, do ta ketë përballë ekipin e drejtuar nga Mauricio Pochettino.

Juventusi fitoi 0:2 në fundjavën që lamë pas në udhëtim te Fiorentina, kurse Tottenhami do t’i hyjë i motivuar këtij takimi pas fitores ndaj rivalit lokal, Arsenal 1:0 në “Wembley”.

Massimiliano Allegrit në këtë takim pritet t’i mungojnë Andrea Barzagli dhe Blaise Matuidi, kurse në dyshim është ylli i skuadrës Paulo Dybala.

Ndërkohë, te Tottenhami mungesa e vetme do të jetë ajo e mbrojtësit Toby Alderweireld.

Në takimin tjetër të së martës Manchester City do të udhëtojë në Zvicër për t’u përballur me Baselin e Taulant Xhakës.

Gabriel Jesus, Leroy Sane, Fabian Delph dhe Benjamin Mendy nuk do të jenë në dispozicion të Pep Guardiolas në këtë takim.

Mbrëmja e 14 shkurtit mund të sjellë pakënaqësi te gratë e tifozëve të futbollit.

Në ditën e Shën Valentinit do të kemi përballjen më të madhe të kësaj faze në Ligën e Kampionëve mes Real Madridit dhe Paris Saint-Germainit.

Nga shumëkush kjo shihet si një finale para finales.

Real Madridi nuk është duke kaluar nëpër një formë të mirë këtë edicion, por fituesi dy herë radhazi i Ligës së Kampionëve pa dyshim që do të ketë tjetër paraqitje në sfidat e këtij kompeticion prestigjioz.

Zinedine Zidane duhet të bëjë pa mbrojtësin e djathtë Dani Carvajal, i cili është i suspenduar, kurse te parisienët mbetet në dyshim prezenca e sulmuesit Edinson Cavani.

Sigurisht se sytë e milionave futbolldashësve do të jenë kah “Santiago Benrabeu” mbrëmjen e së mërkurës.

Të drejtuarit e Jurgen Kloppit do të udhëtojnë në Portugali për t’u ndeshur me Porton.

Liverpooli shihet si favorit absolut për ta kaluar këtë fazë, mirëpo Porto gjithmonë ka ditur të bëjë befasi.

Emre Can për shkak të kartonëve të verdhë dhe Nathaniel Clyne për shkak të lëndimit do të mungojnë për gjigandin anglez. /Zëri/

Liga e Kampionëve

1/16-a

E martë

20:45   Basel – Manchester City

20:45   Juventus – Tottenham

E mërkurë

20:45   Porto – Liverpool       

20:45   Real Madrid – PSG