Sa larg jemi!

Sport February 13, 2018 - 12:08

Derisa atletët nga mbarë bota do të mundohen ta shfrytëzojnë vitin 2018 për grumbullim të sa më shumë pikëve për ta fituar normën olimpike, Kosova vazhdon të përballet me mungesë të infrastrukturës dhe si rezultat edhe të sukseseve ndërkombëtare në mbretin e sporteve, siç konsiderohet atletika.

Legjenda e atletikës kosovare Kamber Ejupi thotë se gjendja e këtij sporti në vendin tonë është për keqardhje. Ai nuk pret ndonjë sukses të Kosovës në vitet në vazhdim derisa nuk ndryshon qasja, derisa nuk ofrohen kushtet për të rinjtë që duan të merren me këtë sport “paqësor”, shkruan "Zëri".

Ejupi këshillon organet përgjegjëse që ta marrin më seriozisht këtë punë pasi nëse vazhdohet në këtë rrugë sukseset e Kosovës në atletikë janë të pamundura.

“Atletika në Kosovë funksionon vetëm në letër faktikisht. Në kohën tonë i kishim 8 shtigje të atletikës, ndërsa tash është vetëm një shteg. S’ka atletikë pa shtigje. Infrastruktura e këtij sporti në Kosovë ka rënë në zero”, shprehet Ejupi për “Zërin”.

Sipas tij, e udhës do të ishte që, nëse do të krijoheshin kushtet, prindërit t’i dërgojnë fëmijët e tyre dhe ta shohin nga afër se për cilën disiplinë të atletikës janë fëmijët e tyre.

Pa u krijuar kushtet, vijon ai, nuk do të ketë zhvillim të sportit në Kosovë. Ejupi këshillon që me sportin e atletikës të merren vetëm profesionistët e këtij sporti, ndërkohë që, pavarësisht faktit që është 73-vjeçar shprehet i gatshëm të ndihmojë me këshilla dhe në çfarëdo mënyrë për sportin e Kosovës nëse i kërkohet një gjë e tillë, pasi e ndien për obligim.

Karriera e pasur e Ejupit

Kamber Ejupi njihet si njëri prej atletëve më të mirë që ka pasur ndonjëherë Kosova. Ai ishte reprezentues i Jugosllavisë së atëhershme, e cila ishte fuqi botërore në shumicën e sporteve.

Kishte garuar në 400 metra me pengesa dhe pa pengesa, 110 metra me pengesa, 200 metra dhe në stafetë 4x100 metra, duke arritur suksese të lakmueshme në ish-Jugosllavi, por edhe në garat ndërkombëtare.

Pasi e përfundoi karrierën ai e nisi zejen e trajnerit, punë të cilën e vazhdoi me sukses edhe në Gjermani, ku kishte shkuar për të jetuar në vitin 1992 e ku jeton ende. Ai është trajner i licencuar, madje me katër licenca të marra në Gjermani, ndërkohë që ka botuar pesë libra, prej tyre tre për sport.

Si profesionalist i atletikës ai ishte përzgjedhës i Reprezentacionit të Kosovës në atë kohë, por edhe sekretar i Lidhjes Atletike të Kosovës. Deri vonë zejen e trajnerit të atletikës e ka ushtruar edhe në Gjermani. /ZËRI/

Image